E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›TEHERAN – Irani mohon përfshirjen në sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në Francë

TEHERAN – Irani mohon përfshirjen në sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në Francë

TEHERAN, 10 nëntor /ATSH-AFP/- Irani ka hedhur poshtë akuzat e Francës për përfshirje në sulmet kibernetike ndaj sistemeve të frigoriferëve në qindra supermarkete franceze, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara politikisht, sipas “Tasnim”.

Në një deklaratë të publikuar sot, Ministria e Jashtme iraniane dënoi atë që e cilësoi si politikë të përsëritur të Parisit, për të drejtuar akuza ndaj Teheranit.

Sipas saj, këto pretendime synojnë të largojnë vëmendjen e opinionit publik nga politikat e Francës ndaj Iranit dhe Lindjes së Mesme.

Ministria iraniane deklaroi se akuzat përbëjnë një përpjekje të papërgjegjshme, për të dëmtuar imazhin e vendit dhe marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera.

Duke iu referuar në mënyrë ironike incidenteve me frigoriferët, diplomacia iraniane u shpreh se autoritetet franceze, duket se nuk janë në gjendje as të kontrollojnë temperaturën e frigoriferëve të tyre, por kërkojnë t’ua atribuojnë probleme të tilla aktorëve të huaj.

Teherani paralajmëroi gjithashtu se nuk do të hezitojë të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e tij kombëtare përballë veprimeve të paligjshme nga jashtë.

Reagimi i Iranit vjen pasi Franca akuzoi Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për organizimin e sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes, në më shumë se 700 pika shitjeje në vend, gjatë natës së 11 dhe 12 tetorit.

Sipas autoriteteve franceze, sulmet mundësuan ndërhyrjen nga distanca në sistemet e kontrollit të frigoriferëve, duke shkaktuar rritje të pazakontë të temperaturave dhe dëmtimin e sasive të mëdha të produkteve ushqimore që kërkonin ruajtje në kushte frigoriferike.

Në disa raste, incidentet shkaktuan edhe zjarre dhe dëme materiale. Humbjet nga prishja e produkteve ushqimore vlerësohen në dhjetëra miliona euro.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot i cilësoi sulmet si të paprecedenta për nga përmasat dhe shkalla e agresivitetit.

Parisi njoftoi se kishte thirrur ambasadorin iranian për t’i paraqitur shqetësimin diplomatik dhe se do të kërkojë vendosjen e sanksioneve në nivel të Bashkimit Evropian ndaj personave dhe subjekteve përgjegjëse.

Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim ndaj njësisë kibernetike “Shahid Kaveh”, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, ndërsa ka kërkuar edhe lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare për zyrtarë të kësaj strukture.

Ndërkohë, raste të ngjashme të ndërhyrjeve në sistemet e frigoriferëve, janë raportuar edhe në vende të tjera evropiane në fillim të nëntorit, duke ngritur shqetësime për sigurinë kibernetike të infrastrukturës tregtare në Evropë. /

Lini një koment