Ora luksoze, makina të shtrenjta dhe apartamente milionëshe, jeta e Hajdar Çopjas në Dubai
Ora të kushtueshme, shuma të mëdha parash, automjete luksoze dhe apartamente me vlerë miliona euro. Këto janë disa nga elementet që karakterizojnë jetën e Hajdar Çopjas, 42-vjeçarit nga Elbasani, i cili ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare për dyshime mbi përfshirjen në një organizatë të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Pamje nga jeta e tij në Dubai janë publikuar nga News 24, në kuadër të një dokumentari që trajton praninë e personave të dyshuar ose të kërkuar për aktivitete kriminale në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas materialit të publikuar, Çopja ekspozon në rrjetet sociale një stil jetese luksoz, të shoqëruar me makina të shtrenjta, ora me vlerë të lartë dhe prona të kushtueshme.
Dokumentari e paraqet Dubain si një destinacion ku janë vendosur edhe individë të kërkuar nga drejtësia në vende të ndryshme, të cilët dyshohet se e shfrytëzojnë këtë territor për t’iu shmangur përballjes me autoritetet dhe procedurave të ekstradimit.
Hajdar Çopja përmendet në hetime si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se drejtohej së bashku me vëllain e tij, Franc Çopja, i dënuar në Belgjikë për vrasje.
Sipas të dhënave të publikuara, aktiviteti i dy vëllezërve lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës, ndërsa hetimet i kanë lidhur ata edhe me ngjarje të rënda kriminale dhe vrasje me porosi në Evropë dhe Shqipëri.
Në raportime të mëparshme është bërë e ditur se Hajdar Çopja ka investuar në pasuri të paluajtshme në Dubai. Një investigim i një gazete belge kishte raportuar për blerjen e një apartamenti me vlerë rreth 760 mijë euro, duke ngritur dyshime për investimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Pamjet e publikuara risjellin në vëmendje mënyrën se si personat e dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar mund të ndërtojnë jetë luksoze jashtë vendit, ndërsa vijojnë të jenë në kërkim të drejtësisë.



