E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Caprile mohon kontaktet me FSHF-në për Kombëtaren: Askush nuk ka trokitur në derën time

Caprile mohon kontaktet me FSHF-në për Kombëtaren: Askush nuk ka trokitur në derën time

Elia Caprile është bërë shtetas shqiptar më 19 shtator, me dekret të firmosur nga presidenti Bajram Begaj, por portieri i Cagliari-t thotë se ende nuk ka pasur asnjë kontakt nga FSHF-ja për një grumbullim të mundshëm me Kombëtaren kuqezi, siç njofton Shqiptarja.com.

Deklarata e tij për mediat italiane bie ndesh me fjalët e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili kishte konfirmuar më herët se pajisja me pasaportë shqiptare lidhej pikërisht me mundësinë që Caprile të bëhej pjesë e Kombëtares dhe e kishte cilësuar atë një vlerë të shtuar, duke shtuar se nuk ishte një gjë që mund të ndodhte menjëherë.

“Për shkak të origjinës së Emilit, partneres sime. Nëse nga kjo mund të lindë diçka, nuk e di. Deri më sot, askush nga federata nuk ka trokitur në derën time. Nëse do ta bëjë, do ta vlerësoj”, është shprehur Caprile. Partnerja e portierit, Emili Toshkollari, me origjinë shqiptare, ka qenë lidhja që i ka mundësuar marrjen e shtetësisë shqiptare.

Caprile po kalon një sezon shumë të mirë në Serie A, ku renditet si portieri me numrin më të lartë të pritjeve në kampionatin italian, ndërsa në katër nga 11 ndeshjet e luajtura nuk ka pësuar gol.

Lini një koment