E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Firenze nderon Kardinal Ernest Simonin me “Fiorino d’Oro” për qëndresën dhe besimin

Firenze nderon Kardinal Ernest Simonin me “Fiorino d’Oro” për qëndresën dhe besimin

– Qyteti i Firences i ka akorduar Kardinalit shqiptar Ernest Simoni “Fiorino d’Oro”, vlerësimin më të lartë të Bashkisë së Firences, në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij, dëshminë e besimit, qëndresën ndaj përndjekjes dhe mesazhin e paqes e të faljes.

Ceremonia e dorëzimit u zhvillua më 19 nëntor në “Palazzo Vecchio”, në sallën “Sala degli Elementi”, në prani të kryebashkiakes Sara Funaro, peshkopit të Firences, Gherardo Gambelli, përfaqësuesve të autoriteteve civile, ushtarake e fetare, si dhe ambasadores së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.

Nderimi vjen në një vit të veçantë për Kardinal Simonin, që shënon 70-vjetorin e shugurimit meshtarak dhe 10-vjetorin e kardinalatit.

Në motivacionin e çmimit, Bashkia e Firences e cilëson atë si një “martir të gjallë” të kohëve tona, simbol të besimit, qëndresës, faljes dhe lirisë së ndërgjegjes. Vlerësimi i jepet për dëshminë e tij të qëndrueshme të mosdhunës, të mbajtur si gjatë viteve të burgimit dhe përndjekjes nën diktaturën komuniste në Shqipëri, ashtu edhe pas daljes në liri, përmes përkushtimit ndaj pajtimit dhe dialogut.

Kardinali Ernest Simoni kaloi 28 vite në burg dhe punë të detyruar për shkak të besimit dhe veprimtarisë së tij fetare. Pavarësisht vuajtjeve, ai nuk iu përgjigj përndjekjes me urrejtje apo hakmarrje, por e ktheu përvojën e tij në një mesazh faljeje, paqeje dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Prej vitesh, Kardinali Simoni jeton në Firence, ku është bërë një figurë e rëndësishme shpirtërore dhe njerëzore për komunitetin, duke ofruar mbështetje dhe afërsi ndaj qytetarëve, veçanërisht atyre në situata të vështira.

Kryebashkiakja Sara Funaro e cilësoi jetën e Kardinal Simonit si një dëshmi të jashtëzakonshme guximi dhe shprese, që kapërcen kufijtë e besimit fetar.

“Është simbol i besimit, i qëndresës, por mbi të gjitha i faljes dhe lirisë së ndërgjegjes. Historia e tij na mëson se edhe përballë sprovave më të vështira mund të zgjedhim të mos dorëzohemi ndaj urrejtjes dhe të vazhdojmë të besojmë te njerëzimi”, u shpreh Funaro.

Me këtë vlerësim, Firence nderon një figurë që e ka shndërruar përvojën e vuajtjes në një mesazh universal paqeje, pajtimi, fraterniteti dhe shprese. /

Lini një koment