VARSHAVË- Rutte: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak
VARSHAVË, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se Aleanca do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të Polonisë, pas rrëzimit të tre mjeteve ajrore ushtarake në territorin polak gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
“Ju garantoj se NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak”, deklaroi Rutte gjatë vizitës së tij në Varshavë.
Ai e cilësoi incidentin si qartësisht të rrezikshëm, duke theksuar se Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë po vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë dhe masat mbrojtëse të Aleancës.
Sipas qeverisë polake, tre mjete ajrore ruse hynë dje në hapësirën ajrore të vendit dhe u rrëzuan.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, deklaroi se dy prej tyre dyshohet të kenë qenë raketa lundruese, ndërsa i treti një dron.
Nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Gjatë vizitës, Rutte u takua edhe me kryeministrin polak, Donald Tusk, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një provokim të qëllimshëm nga Moska.
Incidenti ndodhi në një moment kur Polonia po pret majovrat e para ushtarake të të ashtuquajtur, “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, ku marrin pjesë rreth 2800 ushtarë nga 11 vende.
S, e drejtuar nga Britania e Madhe dhe Franca, synon të testojë mënyrat se si mund të garantohet një paqe e qëndrueshme pas përfundimit të luftës në Ukrainë. Manovrat ushtarake do të zgjasin deri më 22 nëntor.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW), me seli në SHBA, vlerëson se shkeljet e hapësirës ajrore polake nga Rusia mund të jenë kryer në mënyrë të koordinuar me zhvillimin e këtyre manovrave. Sipas institutit, Moska synon të testojë reagimin e NATO-s dhe të pengojë mbështetjen ushtarake të Koalicionit për Ukrainën.
Deklarata e Rutte vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në krahun lindor të NATO-s, ku incidentet me mjete ajrore ruse kanë rritur shqetësimet për sigurinë e vendeve anëtare dhe rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.