E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Gjykata rrëzon vendimin e Komunës së Prishtinës për lirimin e pronave afër Xhamisë së Madhe në Dardania

Gjykata rrëzon vendimin e Komunës së Prishtinës për lirimin e pronave afër Xhamisë së Madhe në Dardania

Gjykata Themelore në Prishtinë ka rrëzuar si të kundërligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për lirimin e pronave të ndërtuara afër Xhamisë së Madhe në lagjen Dardania në Prishtinë, siç njofton KosovaPress, e cila ka siguruar vendimin e gjykatës.

Vendimi i komunës, i datës 20 tetor 2026, u kishte dhënë afat tre ditë personave fizikë e juridikë që të lironin pronat, me arsyetimin e lirimit të pronës komunale, duke i urdhëruar të largonin ndërtesat, mjetet, pajisjet dhe sendet nga hapësirat e përcaktuara.

Sipas aktgjykimit, komuna ka konfirmuar se personat e prekur nuk janë dëgjuar paraprakisht dhe nuk kanë pasur mundësi të dëgjohen, ndërsa komuna nuk ka mundur të tregojë një arsye të ligjshme për këtë.

Gjykata ka gjetur se personat që operojnë në atë pronë kanë shpenzuar burime të konsiderueshme në ndërtimin e objekteve dhe se zbatimi i vendimit do t’u shkaktonte dëm të pariparueshëm ekonomik. Kërkesa e komunës është cilësuar e pabazuar, pasi komuna nuk dëshmoi veprime alternative si dëgjimi i kërkuesve, procedura e shpronësimit apo kompensimi.

Gjykata thekson se komuna ka të drejtë të vendosë për pronat e saj, por është e detyruar të respektojë procedurën e duhur dhe të garantojë të drejtën e dëgjimit të palëve. Ndër të dëmtuarit është edhe bashkëpaditësi Naim Shala, i cili përmes kompanisë Naim Shala B.I. operon në pronën e diskutueshme.

Lini një koment