Tentativa për vrasjen e një amerikano-ukrainasi në Danimarkë, Von der Leyen akuzon shërbimet sekrete ruse
Bashkimi Evropian ka dënuar tentativën për vrasjen e një qytetari amerikano-ukrainas në Danimarkë, siç njofton Shqiptarja.com. Lajmin e dha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në X, duke fajësuar shërbimet sekrete ruse për sulmin.
Von der Leyen e quajti tentativën “një sulm i tmerrshëm” dhe tha se një akt i tillë nuk ka vend në Evropë. Ajo theksoi se pas saj qëndrojnë shërbimet e inteligjencës ruse, duke shtuar se “sulmi ndaj njërit prej nesh është një sulm ndaj të gjithë nesh”.
Sipas policisë daneze, një 53-vjeçar, shtetas amerikan dhe ukrainas, u qëllua dhe u plagos të mërkurën në mbrëmje në Aarhus, qyteti i dytë më i madh i Danimarkës. Policia fillimisht tha se të shtënat nuk lidheshin me terrorizmin.
Transmetuesi shtetëror danez DR raportoi se objektivi ishte politikani ukrainas Oleksiy Goncharenko, kreu i delegacionit ukrainas në Këshillin e Evropës, dhe se ai nuk u lëndua. Goncharenko vetë tha se gjithçka është në rregull me të, se të shtëna u dëgjuan vërtet në Aarhus, ku u mbajt mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por se nuk e di kush ishte objektivi.
Policia daneze arrestoi një 51-vjeçar si të dyshuar për tentativën e vrasjes. Hetimet vazhdojnë dhe ai do të dalë të shtunën para gjykatësit për masën e sigurisë. Në një incident të veçantë në tetor, policia daneze arrestoi në Aarhus 8 shtetas rusë nën dyshimin për akte sabotimi.