“Jam i lumtur me familjen në Tiranë”/ Braziliani karikon Kukësin, nuk fshihet për objektivin kryesor: E dimë se çfarë duan tifozët
Nga Emanuel Loci, Panorama Sport
Paulo Henrique De Mattos është një nga lojtarët që po bën mirë me Kukësin në këtë sezon. “Panorama Sport” ka intervistuar mesfushorin brazilian, ndërsa në prag është transferta e Orikut.
25-vjeçari beson te objektivi i rikthimit në Superiore. Për këtë, Paulinho ka edhe një mesazh për tifozët.
Kur erdhe, e gjete Kukësin në një situatë të vështirë dhe me mungesë pikësh, ndërsa tani skuadra duket pretendente për ngjitjen. Çfarë ka ndryshuar?
“Është e vërtetë që kur mbërrita, klubi nuk po kalonte një moment të mirë, por këto janë pjesë e futbollit. Të gjithë më pritën shumë mirë dhe më dhanë besimin e duhur për të dhënë maksimumin. Kjo më ndihmoi shumë në përshtatjen time. E dinim se për të dalë nga ajo situatë na duheshin rezultate pozitive dhe punuam fort për këtë. Kukësi është një fanellë me shumë peshë dhe histori. Morëm përgjegjësitë tona dhe e përfaqësuam këtë fanellë ashtu siç duhet, me luftë, përkushtim dhe gëzim. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj historie!”
Çfarë grupi dhe atmosfere ke gjetur te skuadra e Kukësit?
“Jam pritur shumë mirë nga të gjithë. Kam gjetur një grup që më ka dhënë besim dhe më ka ndihmuar të përshtatem sa më shpejt. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua.”
Si po ambientohesh me jetën në Shqipëri? Të pëlqen Tirana?
“Tirana është një qytet shumë i mirë për të jetuar. Aktualisht jetoj këtu me bashkëshorten dhe vajzën time dhe jemi shumë të lumtur.”
Nesër do të luani në transfertë ndaj Orikut. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
“Na pret një tjetër ndeshje me shumë rëndësi. Do të shkojmë si gjithmonë, të përqendruar dhe të përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë. Ne luftojmë në çdo ndeshje për tri pikët.”
Ke një mesazh për tifozët e Kukësit, të cilët duan ta shohin skuadrën sa më shpejt në Superiore?
“Dua t’u them tifozëve tanë se e dimë sa shumë dëshirojnë ta shohin Kukësin përsëri në Superiore dhe kjo është edhe dëshira jonë. Po luftojmë për këtë objektiv në çdo ndeshje. Kërkoj prej tyre të vazhdojnë të na mbështesin, sepse përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Do të japim gjithçka në fushë për ta rikthyer Kukësin aty ku e meriton!”