Dita e Alfabetit, Peleshi: 118 vite nga Kongresi i Manastirit, gjuha është identiteti ynë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka uruar Ditën e Alfabetit Shqip përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u vendos përdorimi i një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe.
Peleshi rikujtoi se nga 14 deri më 22 nëntor 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje dhe besime të ndryshme, u mblodhën në Manastir për të marrë një vendim me rëndësi historike për identitetin kombëtar.
Sipas tij, fryti i këtij kongresi është alfabeti me 36 shkronja që përdorim sot për të shkruar dhe lexuar shqip.
Në mesazhin e tij, kreu i Kuvendit theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe te brezat e rinj, duke e cilësuar atë si identitetin e kombit.
“Si sot, 118 vjet më parë, në Manastir u hodh një hap vendimtar që do t’i jepte identitetit perëndimor të kombit tonë shumëçka nga trajta që ka edhe sot. Shqiptarët vendosën atë ditë, të shkruanin me një alfabet të përbashkët, si të gjithë kombet e qytetëruar të botës moderne.
Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tonë.
Pamjet që shoqërojnë këtë urim janë një rikthim përmes teknologjisë, frymëzuar nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit. Gjuha është identiteti ynë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë me krenari. Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip!”, shkruan Peleshi.