Protesta dhe tensione në Francë, “Jelekët e Verdhë” dalin sërish në rrugë
Lëvizja e njohur si “Jelekët e Verdhë” është rikthyer në rrugët e Francës, duke shkaktuar tensione dhe përplasje me policinë në disa qytete, mes tyre Marsejë dhe Lion. Protestat janë zhvilluar në një klimë pakënaqësie për rritjen e kostos së jetesës, pagat dhe politikat e qeverisë.
Në Marsejë, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga autoritetet për zhvillimin e tubimeve, rreth 3,500 persona dolën në rrugë. Policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Gjatë përplasjeve u raportuan edhe zjarre në disa zona të qytetit.
Situatë e tensionuar u regjistrua edhe në Lion, ku rreth 8 mijë persona morën pjesë në protesta. Disa demonstrues të maskuar bllokuan rrugët dhe ndezën zjarre, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Sipas raportimeve, episode të ngjashme u shënuan edhe në qytete të tjera, përfshirë Nantën, Bordonë dhe Parisin.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protestat e 14 nëntorit morën pjesë rreth 106 mijë persona në të gjithë vendin, përfshirë 24 mijë në Paris. Organizatorët dhe sindikatat dhanë shifra më të larta, duke pretenduar se pjesëmarrja arriti në rreth 200 mijë persona.
Protestat janë pjesë e një vale më të gjerë mobilizimi që ka përfshirë Francën gjatë javëve të fundit, ku studentëve, sindikatave dhe aktivistëve të “Jelekëve të Verdhë” u janë bashkuar edhe grupe të tjera qytetarësh.
Lëvizja “Jelekët e Verdhë” u bë e njohur në vitin 2018, fillimisht përmes protestave kundër rritjes së çmimit të karburanteve, por më pas kërkesat u zgjeruan duke përfshirë pakënaqësinë ndaj kostos së jetesës, pabarazisë ekonomike dhe politikave të qeverisë.
Ndërkohë, sindikatat kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit dhe kanë bërë thirrje për një tjetër ditë protestash dhe grevash, duke kundërshtuar masat ekonomike të qeverisë dhe atë që e konsiderojnë si përkeqësim të kushteve të jetesës.