E diel, 22 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Veliaj refuzon të paraqitet në spitalin e Fierit për analizat para operacionit: I jam drejtuar GJKKO-së

Veliaj refuzon të paraqitet në spitalin e Fierit për analizat para operacionit: I jam drejtuar GJKKO-së

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të paraqitet këtë të diel në spitalin Memorial të Fierit për t’iu nënshtruar analizave mjekësore para ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë.

Në reagimin e tij, Veliaj sqaron se nuk refuzon trajtimin mjekësor, të cilin thotë se e ka kërkuar prej muajsh, por kundërshton kryerjen e operacionit në një spital që nuk është kërkuar nga ai dhe familja e tij.

“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.

Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?

Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.

Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!”, ka shkruar Veliaj.

Lini një koment