ANTALIA – BE refuzon projektdeklaratën e COP31, që mbyllet pa tekstin final
ANTALIA, 22 nëntor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka refuzuar draftin e fundit të deklaratës përfundimtare të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike, COP31, që po mbahet në Turqi, për shkak të mungesës së një reference të qartë ndaj karburanteve fosile.
Lajmin e bëri të ditur sot ministri irlandez i Klimës, Darragh O’Brien, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Turqi – më e gjata e mbajtur ndonjëherë – nuk arriti të dakordohet për një deklaratë përfundimtare, pasi disa grupe vendesh, përfshirë BE-në, e refuzuan paktin përfundimtar të paraqitur nga bashkëkryesuesit.
O’Brien theksoi se dokumenti nuk përmban asnjë referencë të drejtpërdrejtë për karburantet fosile dhe as për tranzicionin drejt largimit prej tyre.
“Është e papranueshme që të kemi një akt për klimën që nuk përmend karburantet fosile dhe as tranzicionin drejt largimit prej tyre”, deklaroi ai.
Mungesa e kësaj reference ka shtuar pasigurinë për arritjen e një konsensusi mes delegacioneve pjesëmarrëse në konferencë, e cila synon të përcaktojë angazhimet e vendeve për kufizimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
Mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me kërkesën për përfshirjen në deklaratën përfundimtare të angazhimeve për largimin gradual nga nafta, gazi dhe qymyri. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga disa vende prodhuese të naftës, përfshirë Arabinë Saudite.
Negociatat vijuan edhe gjatë së dielës, ndonëse konferenca ishte parashikuar të përfundonte të premten.
Zgjatja e bisedimeve e ka kthyer këtë samit në konferencën më të gjatë të OKB-së për klimën deri më tani.
Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse vijojnë përpjekjet për të gjetur një formulim të pranueshëm për të gjitha palët dhe për të arritur një marrëveshje mbi deklaratën përfundimtare./ a.jor.