Kategoria e Parë në provë force, duele për kreun dhe pikë “të arta” në javën e 11-të
Nga Panorama Sport
Kategoria e Parë rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 11- të, të cilat do të luhen në dy ditë, të dielën dhe të hënën. Në program janë disa përballje mjaft interesante, ku vëmendjen kryesore e marrin sfida mes Besëlidhjes dhe Ilirisë, si dhe dueli mes Flamurtarit dhe Bylisit, që do të mbyllë javën të hënën në mbrëmje, nën dritat e projektorëve.
Kryesuesja Iliria do të ketë një transfertë të vështirë në Lezhë, ndërsa Bylisi do të kërkojë të mbrojë pozitat në pjesën e sipërme të renditjes në një përballje delikate në Vlorë. Ndërkohë, gara mbetet e hapur edhe për skuadrat e tjera që synojnë kreun, pasi mes vendit të dytë dhe të gjashtë diferenca është vetëm dy pikë.
Në këtë javë pritet të shihet edhe Pogradeci i trajnerit të ri, Dritan Mehmeti, i cili e nisi aventurën me liqenorët me një fitore të bujshme 5-1 ndaj Kukësit në Kupë. Tashmë, për teknikun kryeqytetas vjen prova e parë në kampionat, në transfertën ndaj Burrelit.
Të dielën, 13:30
BURRELI – POGRADECI
Pogradeci udhëton drejt Burrelit me synimin për t’u rikthyer te fitorja në kampionat dhe për të mos humbur kontaktin me skuadrat e kreut. Liqenorët kanë grumbulluar 17 pikë dhe renditen në vendin e pestë, ndërsa debutimi i Dritan Mehmetit në Kupë, me suksesin 5-1 ndaj Kukësit, ka rritur besimin në skuadër. Megjithatë, përballë do të kenë një kundërshtar që ka nevojë urgjente për pikë. Burreli ndodhet në vendin e 11-të me vetëm 7 pikë dhe kërkon të reagojë për t’u larguar nga zona e rrezikut. Për matjanët, kjo është një sfidë ku pikët janë më shumë se të domosdoshme, ndërsa Pogradeci synon të konfirmojë formën pozitive të treguar në Kupë.
SOPOTI – KORABI
Në Librazhd, Sopoti do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë për t’u rikthyer te fitorja, pas një ecurie që e ka lënë në vendin e dhjetë me 7 pikë. Librazhdasit kanë nevojë të reagojnë për të mos u përfshirë më thellë në zonën e poshtme të renditjes. Përballë do të kenë Korabin, që vjen me 12 pikë dhe synon të përfitojë nga kjo transfertë për t’u afruar me grupin e skuadrave të kreut. Peshë të veçantë në këtë takim mund të kenë edhe repartet sulmuese, pasi Sopoti ka realizuar 12 gola deri tani, ndërsa Korabi ka shënuar vetëm pesë. Një përballje ku të dyja skuadrat kërkojnë pikë për objektiva të ndryshëm.
ORIKU – KUKËSI
Oriku vazhdon të kërkojë fitoren e parë sezonale dhe sfida me Kukësin përbën një tjetër mundësi për të ndryshuar ecurinë. Skuadra bregdetare ka vetëm dy pikë pas 10 javësh dhe mban vendin e fundit, ndaj çdo ndeshje është një provë e rëndësishme në luftën për mbijetesë. Nga ana tjetër, Kukësi vjen pas humbjes së rëndë 5-1 në Kupë ndaj Pogradecit dhe do të kërkojë të reagojë menjëherë në kampionat. Veriorët kanë 18 pikë dhe renditen në vendin e tretë, ndaj nuk kanë luksin të lënë pikë në një transfertë të tillë, nëse duan të qëndrojnë në garën për kreun. Për Orikun, sfida është një mundësi për të treguar se mund të rivalizojë edhe skuadrat e pjesës së sipërme.
Të hënën, 13:30
KASTRIOTI – BESA
Java e 11-të do të vijojë të hënën me një përballje interesante në Krujë. Kastrioti pret Besën, me të dyja skuadrat që kanë objektiva të rëndësishëm në këtë kampionat. Kavajasit renditen në vendin e katërt me 18 pikë dhe janë ndër ekipet më produktive në sulm, me 21 gola të shënuar. Në krahun tjetër, Kastrioti ka 11 pikë dhe kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive për t’u afruar me mesin e renditjes. Besa do të mbështetet edhe te golashënuesit e saj, Manfredas Ruzgis, Fatmir Prengaj dhe Ermir Spahiu, të cilët kanë qenë vendimtarë në fazën sulmuese. Megjithatë, transferta në Krujë nuk pritet të jetë e lehtë, pasi vendasit kanë nevojë për pikë dhe do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë.
BESËLIDHJA – ILIRIA
Një nga përballjet më të forta të javës do të zhvillohet në Lezhë, ku Besëlidhja pret kryesuesen Iliria. Vendasit kanë grumbulluar 14 pikë dhe renditen në vendin e shtatë, por një fitore ndaj skuadrës së parë do t’i afronte ndjeshëm me grupin e kreut. Besëlidhja ka treguar se është një kundërshtar i rrezikshëm, sidomos në fazën sulmuese, ku spikat Festim Alidema, një prej golashënuesve më të mirë të kampionatit me gjashtë realizime. Në krahun tjetër, Iliria udhëton drejt Lezhës si kryesuese me 21 pikë dhe synon të mbrojë vendin e parë. Dibranët kanë treguar stabilitet gjatë 10 javëve të para, ndërsa mbështeten edhe te forma e mirë e Darnell Kithambo Mavangës, i cili ka shënuar gjashtë gola. Një duel që premton rivalitet dhe që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në garën për kreun.
FLAMURTARI – BYLIS 16:00
Java e 11-të do të mbyllet me një përballje të rëndësishme në Vlorë, ku Flamurtari do të presë Bylisin. Është takimi i vetëm që do të luhet nën dritat e projektorëve, të hënën në orën 16:00, dhe një nga sfidat më të rëndësishme të kësaj jave për pozicionet e sipërme të tabelës. Bylisi mban vendin e dytë me 18 pikë dhe është ende i pamposhtur, me katër fitore e gjashtë barazime.
Mallakastriotët do të kërkojnë të ruajnë këtë ecuri pozitive, por përballë do të kenë një Flamurtar që po rritet nga java në javë. Vlonjatët kanë 16 pikë dhe renditen në vendin e gjashtë, ndaj një fitore do t’i afronte ndjeshëm me rivalët e tyre. Kuqezinjtë kanë shënuar 14 gola dhe do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të marrë një rezultat të rëndësishëm. Në këtë përballje, tri pikët vlejnë shumë për të dyja skuadrat, në një garë ku diferencat në pjesën e sipërme të renditjes janë ende të vogla.