E diel, 22 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Pare›Ekskluzive/ Gabim nga FIFA, ka harruar klubin shqiptar te lista e borxheve por i hap merkaton

Ekskluzive/ Gabim nga FIFA, ka harruar klubin shqiptar te lista e borxheve por i hap merkaton

Nga Ilir Cara, Panorama Sport

Detyrimet e prapambetura vijojnë të jenë një problem shqetësues për futbollin shqiptar. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të FIFA-s, në total figurojnë 21 çështje të humbura nga klubet shqiptare. Mes emrave të përfshirë në këtë listë rezulton edhe Oriku, i cili figuron aty që prej shkurtit të vitit 2025.

Megjithatë, klubi vlonjat ka vijuar të regjistrojë futbollistë pa pengesa në Shqipëri dhe aktualisht garon në Kategorinë e Parë pas ngjitjes nga e Dyta ku ishte një sezon më parë. Pikërisht kjo mospërputhje ngjalli pikëpyetje, ndaj “Panorama Sport” u interesua për të sqaruar situatën. Në fund rezultoi se emri i Orikut ka mbetur gabimisht në listën e klubeve shqiptare me merkaton e bllokuar, ndonëse çështja që kishte sjellë këtë penalizim është mbyllur prej kohësh.

“Panorama Sport” ka siguruar edhe dokumentin zyrtar të FIFA-s, i datës 3 shtator 2025, i cili konfirmon se Oriku i ka shlyer detyrimet dhe se ndalimi për regjistrimin e futbollistëve të rinj është hequr përfundimisht. Vendimi është marrë pasi FIFA ka marrë konfirmimin nga futbollisti Hudson Dias de Jesus, i cili ka bërë me dije se ka arritur një marrëveshje me klubin për zgjidhjen e çështjes financiare. Pas këtij konfirmimi, FIFA ka njoftuar zyrtarisht Federatën Shqiptare të Futbollit, duke i kërkuar të heqë menjëherë edhe në nivel kombëtar ndalimin e vendosur ndaj Orikut.

Pra, që prej 3 shtatorit 2025, klubi ka qenë i lirë të regjistrojë futbollistë të rinj për këtë çështje. Me këtë dokument bien poshtë edhe pikëpyetjet mbi mënyrën se si Oriku ka mundur të federonte lojtarë në dritaret e fundit të merkatos, ndërkohë që emri i tij vazhdonte të shfaqej në listën e klubeve të penalizuara nga FIFA. Duket se bëhet fjalë për një përditësim të munguar të listës, pasi çështja me futbollistin është mbyllur dhe ndalimi është hequr prej më shumë se një viti. Oriku nuk rezulton më i bllokuar për këtë detyrim, por emri i tij vijon të figurojë në listën që FIFA ende nuk e ka përditësuar.

Lini një koment