E diel, 22 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Pare›Foto ekskluzive/ Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët

Foto ekskluzive/ Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët

Nga E. Kuka, Panorama Sport

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në pushimin e ndeshjes mes Orikut dhe Kukësit në Kategorinë e Parë, pasi lojtarët dhe stafi vendas kanë dhunuar pjesëtarët e skuadrës verilindore.

Sipas asaj që mëson “Panorama Sport”, përplasja ka filluar fillimisht verbale, e më pas lojtarët dhe stafi i ekipit vendas u janë vërsulur miqve në tunelin mes dhomave të zhveshjeve duke sjellë disa minuta kaos dhe ka ndërhyrë edhe policia për të qetësuar situatën.

Siç shihet nga fotot e siguruara nga “Panorama Sport”, disa prej lojtarëve të skuadrës së Kukësit kanë pasoja fizike në trup me shenjat e këpucëve të dukshme pasi janë goditur me shkelma nga futbollistët e ekipit vendas.

Njëkohësisht, gjithçka ka ndodhur nën vëzhgimin e kamerave të brendshme të stadiumit, të cilat çuditërisht janë deklaruar të fikura dhe jofunksionale.

Me pak fjalë, gjithçka ka dalë jashtë kontrollit dhe normalitetit, duke kaluar futbollin në plan të dytë dhe me pasoja që pritet të mbërrijnë nga Komisioni i Disiplinës për protagonistët e kësaj ngjarje të turpshme.

Lini një koment