Britania paralajmëron kompanitë që furnizojnë Ukrainën për rrezik të shtuar sabotazhi nga Rusia
Ministria britanike e Mbrojtjes dhe shërbimi i brendshëm i sigurisë MI5 lëshuan të martën një alarm për kompanitë që kanë ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për ushtrinë e Ukrainës, duke i paralajmëruar se përballen me një kërcënim të shtuar sabotazhi nga Rusia, siç njofton Reuters.
Në njoftimin publik, të cilin Reuters e cilëson si jashtëzakonisht të pazakontë, Ministria e Mbrojtjes dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Mbrojtëse, pjesë e MI5, u kërkuan kompanive të marrin masa për të përmirësuar sigurinë përballë rrezikut që, sipas tyre, paraqesin operativët që veprojnë për Rusinë.
“Në muajt e fundit, Rusia ka shtuar tentativat për të kryer sabotazhe kundër objekteve evropiane të lidhura me mbrojtjen”, thuhet në paralajmërim. Sipas tij, ky aktivitet karakterizohet zakonisht nga përdorimi i aktorëve të ndërmjetëm që përdorin metoda sabotazhi me nivel të ulët sofistikimi, si zjarrvënia.
Ambasada e Rusisë në Londër nuk dha menjëherë koment. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kur Britania u bë një nga mbështetëset më të zëshme të Kievit, Londra e ka akuzuar Rusinë se qëndron pas një sërë komplotesh spiunazhi dhe sabotazhi. Vitin e kaluar, një grup burrash britanikë u burgosën për një sulm me zjarrvënie ndaj një biznesi të lidhur me Ukrainën, sulm që autoritetet britanike thanë se u krye me porosi të Moskës.
“Tentativat e fundit të sabotazhit në të gjithë Evropën tregojnë seriozitetin e kërcënimeve me të cilat përballemi”, tha ministri i Sigurisë, Dan Jarvis. “Është vërtet e turpshme që aktorë po kërkojnë të prishin mënyrën tonë të jetesës dhe atë të aleatëve tanë, duke shënjestruar veçanërisht organizatat që bëjnë punë jetike në mbështetje të Ukrainës”, shtoi ai.