BELGJIKË – Hapet qendra më e madhe e prodhimit të satelitëve në Evropë
BRUKSEL, 24 nëntor /ATSH – AA/ – Objekti më i madh në Evropë për prodhimin e satelitëve u hap sot në Marcinelle të Belgjikës, ku Mbreti Philippe përuroi “Megafabrikën” e re të kompanisë “Aerospacelab”, transmeton Anadolu.
Sipas Pallatit Mbretëror Belg, ky objekt, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrorë dhe ka një kapacitet prodhimi deri në 500 satelitë në vit, është më i madhi i llojit të tij në Evropë dhe i treti më i madhi në botë.
Objekti pritet të forcojë autonominë hapësinore evropiane, duke kontribuar në prodhimin e 264 satelitëve për IRIS2, rrjetin e ardhshëm të komunikimit satelitor të sigurt të Bashkimit Evropian.
Ky projekt është pjesë e një kontrate të përgjithshme me një vlerë të përllogaritur prej 2.4 miliardë eurosh, bëri të ditur Pallati Mbretëror.
Pas fjalimit të mbajtur nga drejtori ekzekutiv i “Aerospacelab”, Benoit Deper, Mbreti Philippe përuroi zyrtarisht kompleksin dhe vizitoi ambientet e tij, përfshirë dhomën e dekontaminimit dhe njësitë e teknologjisë satelitore që ndodhen në vend.
Vizita mbretërore përfundoi në sallën e operacioneve, ku u prezantuan satelitët që aktualisht ndodhen në orbitë.