Drita dhe uji edhe për banesat në proces legalizimi, Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin
Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjin “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, që i hap rrugën lidhjes së kontratave të energjisë elektrike dhe të ujit edhe për objektet në proces legalizimi, siç njofton Shqiptarja.com.
Banesat individuale të ndërtuara përpara 1 tetorit 2025, që janë në proces legalizimi apo regjistrimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të mund të lidhin kontratë për furnizim me energji dhe ujë. Një akt normativ i vitit të kaluar e kishte ndaluar lidhjen me rrjetin publik të ujit dhe të energjisë për banesat pa certifikatë pronësie, duke shkaktuar probleme për shumë qytetarë.
Nga nisma përfitojnë edhe qytetarët që jetojnë në pallate, por ende nuk janë pajisur me certifikatë pronësie për arsye që nuk varen nga pronarët, por nga ndërtuesit apo zhvilluesit që duhet të aplikojnë për certifikatën e përdorimit. Deputetja e PS-së Besa Spaho, propozuese e nismës, tha se procedurat mund të jenë ende në fazë legalizimi apo regjistrimi dhe në tërësi nuk varen nga aplikanti.
Opozita votoi kundër me argumentin se po ligjërohet një paligjshmëri. Deputeti Tedi Blushi e quajti nismën klienteliste, në favor të ndërtimeve pa leje, duke thënë se furnizimi i tyre me energji dhe ujë formalizon një paligjshmëri.
Nga nisma përfitojnë vetëm objektet e ndërtuara dhe të përdorura para 1 tetorit 2025, kur hyri në fuqi akti normativ i qeverisë; për objektet pas kësaj date, lidhja me ujin dhe energjinë do të bëhet vetëm pas marrjes së certifikatës së pronësisë.