E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Zbulohet ambient për kultivimin e drogës, procedohen 5 punonjës të OSHEE-së në Shkodër

Zbulohet ambient për kultivimin e drogës, procedohen 5 punonjës të OSHEE-së në Shkodër

Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, gjatë të cilit u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bëhet fjalë për punonjësit J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz, K. F., 42 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, L. H., 65 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, Gj. M., 53 vjeç, banues në fshatin Juban, dhe D. D., 43 vjeç, banues në fshatin Kosmaç.

Procedimi penal ndaj tyre nisi pas veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Një ditë më parë, gjatë kontrolleve në dy objekte nëntokësore në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 shtetas.

Hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme vijojnë.

Lini një koment