E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Do të jem ushtar i thjeshtë”- Bylykbashi i jep leksione Berishës, dorëzon detyrën e drejtuesit politik të Durrësit: Kështu Ripërtërihet PD!

“Do të jem ushtar i thjeshtë”- Bylykbashi i jep leksione Berishës, dorëzon detyrën e drejtuesit politik të Durrësit: Kështu Ripërtërihet PD!

Në një kohë kur Sali Berisha vijon të mbajë drejtimin e Partisë Demokratike, pavarësisht debateve për nevojën e ripërtëritjes së kësaj force politike, Oerd Bylykbashi ka zgjedhur të bëjë një hap pas, duke dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të qarkut të Durrësit.

Vendimin e ka bërë publik gjatë “Foltores” së zhvilluar në Durrës, ku ka njoftuar se një javë më parë kishte dorëzuar detyrën, duke argumentuar se largimi nga funksionet drejtuese është një mënyrë për t’i hapur rrugë ripërtëritjes së Partisë Demokratike.

Pa e adresuar drejtpërdrejt çështjen e lidershipit të PD-së, Bylykbashi ka dhënë një mesazh që merr një domethënie të veçantë në kushtet e debatit për rinovimin e partisë. Sipas tij, largimi nga një funksion drejtues nuk nënkupton braktisjen e betejës politike.

“Në këtë fjalë sot dëshiroj t’ju falënderoj, sepse kjo është hera e fundit që ju drejtohem si drejtues politik i qarkut Durrës. Një javë më parë kam dorëzuar detyrën. Mendoj që vetëm në këtë mënyrë çohet përpara ripërtëritja. Kushdo që ta marrë detyrën, i uroj ta çojë përpara PD-në drejt fitores”, deklaroi Bylykbashi.

Ai theksoi se do të vazhdojë angazhimin në Partinë Demokratike, por tashmë si një “ushtar i thjeshtë”.

“Kush largohet nga beteja është tradhtar, por kush largohet si unë, është aty për të luftuar si ushtar i thjeshtë”, u shpreh ai.

Ndërsa Bylykbashi e sheh largimin nga detyra si kontribut për ripërtëritjen e partisë, Berisha vijon të drejtojë PD-në dhe të udhëheqë procesin e riorganizimit të saj përmes “Foltoreve”. /VNA/

Lini një koment