AUSTRALI – Projektligji për sigurinë në internet, gjigantët e teknologjisë rrezikojnë gjoba prej miliarda dollarësh
– Australia ka arritur një marrëveshje për të ashpërsuar ligjin për sigurinë në internet, duke parashikuar gjoba që mund të arrijnë deri në 5% të të ardhurave vjetore globale, për kompanitë e mëdha të teknologjisë, si “Google”, “Meta” dhe “TikTok”, nëse nuk mbrojnë përdoruesit nga përmbajtjet e dëmshme, sipas “Reuters”.
Marrëveshja u arrit sot mes qeverisë australiane dhe Partisë së Gjelbër, duke siguruar mbështetjen e kësaj të fundit për projektligjin në Senat.
Legjislacioni i ri, i njohur si “Detyrimi Digjital për Kujdesin”, do t’u kërkojë platformave online, të marrin masa për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve, që mund të shkaktojnë dëme te përdoruesit.
Rregullat do të zbatohen jo vetëm për rrjetet sociale, por edhe për lojërat online, aplikacionet dhe programet e inteligjencës artificiale.
Ato synojnë të mbrojnë veçanërisht, fëmijët nga përmbajtjet që nxisin dhunën, bullizmin, çrregullimet e të ushqyerit, vetëdëmtimin dhe abuzimin seksual.
Një nga ndryshimet kryesore është rritja e ndjeshme e gjobave.
Ndryshe nga propozimi fillestar i qeverisë, që parashikonte një gjobë maksimale prej 109,2 milionë dollarësh australianë, ndryshimet e dakordësuara me të Gjelbrit lejojnë gjoba deri në 5% të të ardhurave globale të kompanive.
Kjo mund të përkthehet në miliarda dollarë për gjigantët e teknologjisë.
Gjithashtu, qytetarët australianë do të kenë të drejtën të padisin drejtpërdrejt kompanitë e teknologjisë në gjykatë, nëse pësojnë dëme nga aktiviteti i platformave online.
Projektligji parashikon edhe mundësinë që përdoruesit mbi 16 vjeç të çaktivizojnë sistemet automatike, që u sugjerojnë përmbajtje, duke parë kryesisht postimet e personave dhe faqeve që kanë zgjedhur të ndjekin.
Qeveria australiane argumenton se kompanitë e teknologjisë, duhet të mbajnë përgjegjësi për rreziqet që krijojnë platformat e tyre.
Ndërkohë, opozita konservatore ka kundërshtuar projektligjin, duke paralajmëruar se përkufizimet e gjera të përmbajtjeve të dëmshme, mund të kufizojnë lirinë e shprehjes.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësime se, legjislacioni mund të çojë në kufizimin e shprehjes së lirë në internet.
Projektligji pritet të kalojë në Senat me mbështetjen e të Gjelbërve, ndërsa votimi parlamentar është parashikuar të zhvillohet gjatë kësaj jave. /