E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – OBSH: Një në pesë europianë përballet me pabarazi shëndetësore, 187 milionë persona të prekur

FOKUS – OBSH: Një në pesë europianë përballet me pabarazi shëndetësore, 187 milionë persona të prekur

GJENEVË, 24 nëntor /ATSH – ANSA/ – Përmirësimi i kushteve të jetesës dhe rritja e jetëgjatësisë në rajonin europian nuk kanë sjellë përfitime të barabarta për të gjithë.

Personat me të ardhura të ulëta, punësim të pasigurt, vështirësi në strehim dhe akses të kufizuar në shërbimet shëndetësore vazhdojnë të kenë gjendje më të dobët shëndetësore.

Këto janë gjetjet e një raporti të publikuar nga Zyra Rajonale për Europën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili analizon pabarazitë shëndetësore në Europë dhe vendet e Azisë Qendrore.

Sipas raportit, rreth 187 milionë persona, ose një në pesë banorë të rajonit, preken nga këto pabarazi.

Mes tyre janë 35 milionë fëmijë dhe adoleshentë, 19 milionë të rinj, 99 milionë persona në moshë pune dhe 34 milionë të moshuar.

Raporti evidenton gjithashtu një përkeqësim të gjendjes shëndetësore te grupet me të ardhura të ulëta.

Nga viti 2010 deri më sot, përqindja e grave në moshë pune me të ardhura të ulëta që e vlerësojnë shëndetin e tyre si mesatar ose të dobët është rritur nga 36% në 43%.

Te burrat, kjo shifër ka kaluar nga 32% në 42%. Ndërkohë, treguesit për grupet me të ardhura më të larta kanë mbetur të pandryshuar.

Pabarazitë shfaqen që në fëmijëri. Fëmijët nga familjet më të varfra kanë dy herë më shumë gjasa të humbin jetën para moshës pesëvjeçare, krahasuar me fëmijët nga familjet më të pasura.

Edhe në moshën e punës, diferencat janë të dukshme. Rreth 34% e grave dhe 33% e burrave me të ardhura të ulëta vuajnë nga sëmundje kronike që kufizojnë aktivitetet e përditshme, kundrejt përkatësisht 15% dhe 12% te personat me të ardhura të larta.

Situata është shqetësuese edhe për shëndetin mendor, pasi burrat me të ardhura të ulëta në moshë pune kanë katër herë më shumë rrezik për të zhvilluar depresion.

Një tjetër problem i evidentuar është rritja e shpenzimeve shëndetësore që mbulohen drejtpërdrejt nga familjet, një fenomen i regjistruar në 11% të vendeve të rajonit, i cili rrit rrezikun që qytetarët të heqin dorë nga trajtimi mjekësor dhe të përballen me vështirësi ekonomike.

“Vendi ku rritemi, të ardhurat familjare dhe mundësia për të gjetur një punë dinjitoze nuk duhet të përcaktojnë se sa gjatë apo sa mirë jetojmë”, deklaroi Christine Brown, drejtuese e Zyrës Europiane të OBSH-së për Investimet në Shëndet dhe Zhvillim.

Ajo theksoi se, përveç të ardhurave, një rol të rëndësishëm në shëndetin e individëve luajnë edhe mundësitë e barabarta për arsimim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën e komunitetit.

Lini një koment