Foda: Kosova e gatshme për çdo kundërshtar në kualifikimet për Euro 2028
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e pret me qetësi shortin për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2028, i cili do të hidhet më 6 dhjetor në Belfast. Siç njofton Futbolli.info, për herë të parë Kosova do të jetë pjesë e vazos së tretë.
Në një intervistë për KOHËN, Foda ka theksuar se Dardanët janë të gatshëm të përballen me cilindo kundërshtar, ndonëse dëshira e tij ishte që Kosova të pozicionohej në vazon e dytë.
Trajneri gjerman ka vlerësuar paraqitjet e ekipit në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke thënë se Kosova dëshmoi se mund të konkurrojë me përfaqësuese të nivelit më të lartë. Sipas tij, lëndimet dhe mungesa e minutave te disa futbollistë në klubet e tyre ndikuan në rezultatet e ekipit.
Foda beson se Kosova ka potencial për të bërë hapin e radhës dhe për të synuar ngjitjen në Ligën A, me kusht që futbollistët të jenë në formë të mirë fizike dhe të kenë më shumë vazhdimësi në klubet e tyre.
Ai ka kërkuar gjithashtu unitet dhe përkrahje nga tifozët, duke theksuar se kritikat e arsyeshme janë të mirëseardhura, por ekipi ka nevojë për mbështetje sidomos në momentet e vështira. Intervistën e plotë me Franco Fodën mund ta lexoni në KOHA.net.