E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Futbolli ne Kosove›Delegacioni i UEFA-s në Kosovë, stadiumi nacional dhe investimet infrastrukturore në fokus

Delegacioni i UEFA-s në Kosovë, stadiumi nacional dhe investimet infrastrukturore në fokus

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetari i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, Petr Fousek, si dhe drejtori i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre, kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, siç njofton Futbolli.info.

Delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është pritur në takim nga ministri i Sportit, Blerim Gashani. Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi i infrastrukturës së futbollit, investimet strategjike dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e mëtejshëm të futbollit kosovar.

Ministri Gashani falënderoi UEFA-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin dhjetëvjeçar të futbollit kosovar në familjen evropiane si të jashtëzakonshëm dhe shumë produktiv. Ai vlerësoi edhe punën e FFK-së nën drejtimin e presidentit Ademi dhe tha se, krahas vazhdimit të punëve në stadiumet ku po punohet aktualisht, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional.

Fousek theksoi se qëllimi i vizitës është të rikonfirmohet mbështetja e UEFA-s për FFK-në dhe të vlerësohet puna zhvillimore që po bëhet nën udhëheqjen e presidentit Ademi, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shtetërore, veçanërisht në projektet infrastrukturore, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit.

Nga ana tjetër, Favre u shpreh se rikthimi në Kosovë ka gjithmonë një domethënie të veçantë për të, duke qenë pjesë e rrugëtimit të futbollit kosovar në UEFA që nga dita e parë. Ai veçoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme zhvillimore në Kosovë.

Pas takimit me ministrin Gashani, delegacioni, i shoqëruar nga presidenti Ademi, vizitoi Kampin Nacional në Hajvali, ku u njoh nga afër me investimet e realizuara, kapacitetet infrastrukturore dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të kompleksit. Kampi përbën një nga investimet më strategjike të FFK-së, me rëndësi të veçantë për përgatitjen e ekipeve kombëtare dhe zhvillimin e talenteve të reja.

Përfaqësuesit e lartë të UEFA-s vizituan edhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u njohën me gjendjen aktuale të infrastrukturës dhe kapacitetet e stadiumit që mirëpret ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares dhe të klubeve në garat evropiane.

Vizita u përmbyll me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku në fokus ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, i vlerësuar si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit. Gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Prishtinës që në një të ardhme të afërt të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe finalet e garave të UEFA-s, ndërsa palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik.

Lini një koment