E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Zogaj: Spiropali e ka bërë skanerin e partisë së vet, nuk ka dashur konfrontim me Ramën

Zogaj: Spiropali e ka bërë skanerin e partisë së vet, nuk ka dashur konfrontim me Ramën

Zhvillimet e fundit dhe debatet rreth pozicionit të ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste kanë qenë në qendër të diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani. I ftuar në studio, analisti dhe shkrimtari Preç Zogaj ka hedhur poshtë qasjet që i shohin lëvizjet politike si prodhime laboratorike apo “alkimi”, duke theksuar se dinamikat reale të pushtetit ndërtohen përmes një spektri të gjerë faktorësh politikë, emocionalë dhe ndërkombëtarë.

Sipas Zogajt, pretendimet se lëvizjet e fundit janë thjesht një skenar i mirëorganizuar për t’i hapur rrugë karrierës së mëtejshme të Spiropalit nuk përkojnë me realitetin e zhvillimeve dhe kronologjinë e ngjarjeve.

Ai vuri në dukje se me kalimin e mandateve, partitë në pushtet priren të mbyllen gjithnjë e më shumë, duke toleruar gjithnjë e më pak mendimin ndryshe apo kundërshtimet e brendshme.

“Partia vjen e bëhet gjithnjë më e mbyllur dhe shumë më pak duron kështu vickla kundërshtime sa kohë që ka vendosur, apo po rend domethënë drejtë humnerës me sy hapur, me entuziazëm”, u shpreh Zogaj, duke shtuar se bëhet fjalë për një analizë të thellë që vetë Spiropali i ka bërë strukturës drejtuese, duke vënë në dukje se forca politike po evoluon drejt një modeli të një njeriu të vetëm, ku mungojnë debati i lirë dhe demokracia e brendshme, ndërkohë që aparati partiak është shkrirë me strukturat e shtetit.

Duke analizuar natyrën e përplasjes, analisti vlerësoi se qëndrimet e Elisa Spiropalit synonin një reflektim të brendshëm dhe një ftesë për kryetarin e partisë që të adresojë çështjet themelore dhe standardet që kërkohet të përmbushen edhe në raport me Bashkimin Evropian, pa kaluar domosdoshmërisht në një konfrontim të hapur apo personal me Edi Ramën.

Në këtë kontekst, Zogaj solli në vëmendje edhe paralelizmin historik me raportet e dikurshme mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës, duke shpjeguar se ngritja e Ramës nuk ishte produkt i dashamirësisë së ish-liderit socialist, por rezultat i betejave politike dhe i kontrollit të një pushteti lokal të fortë siç ishte Bashkia e Tiranës.

“Nano e ka marrë Ramën nga Parisi, e ka dashur, e ka promovuar, por Nano ka dashur ta largojë nga politika dhe nuk ka mundur, se i dha një kështjellë të fuqishme që qe Tirana”, u shpreh Zogaj, duke nënvizuar se specifikat e pushtetit dhe terreni politik përcaktojnë gjithmonë fatin e individëve brenda një force politike.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment