Kalari kërcënon Partizanin, drejton derbin ndaj ish-klubit të tij: Japim më të mirën
Dinamo përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij sezoni, teksa sot do të përballet me Partizanin në derbin e kryeqytetit. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:30, me skuadrën dinamovite që do të kërkojë të lërë pas rezultatet negative dhe të rikthehet te fitorja.
Pas humbjes së fundit ndaj Elbasanit, blutë synojnë të reagojnë në këtë përballje, e cila ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për pikët në klasifikim, por edhe për moralin e skuadrës. Në kampin dinamovit ka besim se ekipi mund të bëjë një paraqitje pozitive, ndërsa përgatitjet gjatë javës janë përqendruar te aspekti taktik dhe korrigjimi i disa problemeve të shfaqura në ndeshjet e fundit.
NDESHJA
Në prag të derbit, për mediat ka folur zëvendëstrajneri i Dinamos, Renaldo Kalari, i cili e ka cilësuar këtë takim si një përballje të hapur, ku çdo rezultat është i mundur. Ai theksoi se skuadra e ka analizuar kundërshtarin dhe se objektivi i vetëm është marrja e tri pikëve.
“Ndeshjet derbi i kanë të tria rezultatet brenda. Janë përballje të paparashikueshme, që dhurojnë futboll të bukur. E kemi analizuar kundërshtarin dhe, pa diskutim, do të hyjmë në fushë për ta fituar këtë përballje, sepse derbit luhen për t’u fituar”, u shpreh Kalari.
SKUADRA
Duke folur për gjendjen e skuadrës dhe përgatitjet e zhvilluara në prag të kësaj sfide, zëvendëstrajneri u shpreh i kënaqur me punën e bërë gjatë javës. Sipas tij, stafi teknik ka punuar në mënyrë të veçantë përmes analizave taktike dhe videove, me qëllim përmirësimin e disa detajeve që kanë ndikuar në rezultatet e fundit.
“Java stërvitore ka qenë e qetë dhe pozitive. Kemi punuar në aspektin taktik, si në fushë, ashtu edhe përmes analizave me video, për të përmirësuar ato dy-tri situata që kemi nevojë të korrigjojmë”, deklaroi ai.
PROBLEMET
Një nga çështjet ku Dinamo kërkon të bëjë diferencën është padyshim konkretizimi i rasteve përpara portës. Kalari pranoi se skuadra ka pasur paraqitje pozitive në lojë, por mungesa e efikasitetit në momentet vendimtare ka bërë që blutë të mos marrin rezultatet e dëshiruara.
“Jemi gati të japim maksimumin dhe të marrim më të mirën, ashtu si në çdo ndeshje. Në përballjet e fundit, fati nuk na ka buzëqeshur, por kemi pasur edhe mangësi në finalizim, të cilat i kemi diskutuar me lojtarët. Këto kanë ndikuar që të mos arrijmë rezultatet që kemi dëshiruar dhe që, duke parë lojën e zhvilluar, kemi merituar. Duhet thënë se, në tërësinë e 90 minutave, kemi qenë dominues ndaj të gjithë kundërshtarëve”, theksoi Kalari.
RASTET E HUMBURA
Në fund, Kalari u ndal sërish te rëndësia e finalizimit, duke shprehur shpresën që në derbin ndaj Partizanit skuadra të jetë më e saktë përpara portës dhe të mos shpërdorojë mundësitë e krijuara. Për Dinamon, kjo është një mundësi e mirë për të dhënë një përgjigje në fushën e lojës dhe për të rikthyer rezultatet pozitive.
“Shpresoj që në këtë ndeshje të kemi edhe fatin në anën tonë, por mbi të gjitha duhet të tregohemi më cinikë përpara portës dhe t’i shndërrojmë në gola rastet që krijojmë”, përfundoi Renaldo Kalari.