ITALI – Zelensky i kërkon ndjesë Melonit për operacionin në Libi, premton koordinim paraprak me Italinë
– Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar ndjesë kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për faktin se Kievi nuk e kishte informuar Romën paraprakisht, për operacionin ushtarak kundër një anijeje ruse në portin e Bengazit, në Libinë lindore.
Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, Meloni dhe Zelensky kanë zhvilluar një bisedë telefonike, gjatë së cilës kryeministrja italiane ka shpjeguar kompleksitetin e situatës dhe rëndësinë që ka për Italinë koordinimi paraprak për operacione të tilla, veçanërisht për shkak të afërsisë gjeografike dhe ndikimit të mundshëm në sigurinë e rajonit.
Të dy liderët kanë rënë dakord që në të ardhmen, të ketë një koordinim më të mirë dhe që shërbimet e inteligjencës ukrainase të japin më shumë informacion paraprak, për operacionet që planifikojnë të kryejnë.
Sipas gazetës, palët kanë rënë dakord edhe për mënyrën se si duhet të zhvillohen këto komunikime, ndërsa Zelensky ka rënë dakord me kërkesat e palës italiane.
Megjithatë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit ukrainas për koordinimin me partnerët.
Ai deklaroi se Italia dhe aleatët nuk ishin informuar për operacionin në Libi.
“Nuk ka pasur kurrë asnjë koordinim me Ukrainën për këtë operacion të veçantë dhe aleatët nuk ishin në dijeni të asaj që po bënin ukrainasit në Libi. Prandaj, nuk është e vërtetë ajo që tha Zelensky”, deklaroi Tajani, në Asamblenë e 43-të Kombëtare të Shoqatës së Komunave Italiane (ANCI).
Ai theksoi se Italia nuk dëshiron që lufta të shtrihet në territore të tjera dhe që konflikti të përfshijë më tej rajonin e Mesdheut.
Duke iu referuar bisedës telefonike mes ministrit të Jashtëm ukrainas dhe homologut të tij libian, gjatë së cilës Kievi rikonfirmoi respektimin e sovranitetit të Libisë, Tajani e cilësoi këtë zhvillim pozitiv dhe një sukses të diplomacisë italiane.
Ndërkohë, në një intervistë për BBC-në, Zelensky mbrojti operacionin ushtarak në portin e Bengazit, duke deklaruar se forcat ukrainase nuk ndërmarrin asnjëherë veprime të tilla, pa u koordinuar paraprakisht me partnerët e tyre.
Presidenti ukrainas e cilësoi anijen luftarake ruse “Merkury” si një objektiv plotësisht, të ligjshëm, ndërsa pranoi se sulme të tilla janë shumë të rrezikshme.
Nga ana tjetër, kryeministrja Meloni deklaroi më herët se sulmi, i cili çoi në fundosjen e anijes luftarake ruse, të ankoruar në Libinë lindore, rrezikon ta shtrijë konfliktin në Mesdhe, një skenar që Italia e konsideron të papranueshëm.
Ngjarja ka nxitur reagime edhe në politikën italiane. Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S), Giuseppe Conte, kërkoi që kryeministrja Meloni të japë menjëherë shpjegime në Parlament për operacionin dhe mungesën e njoftimit paraprak të Italisë.
Sipas tij, pavarësisht mbështetjes ekonomike, financiare dhe ushtarake, që Italia i ka dhënë Ukrainës gjatë katër viteve e gjysmë të fundit, deklaratat e Zelensky, tregojnë se Roma nuk ishte pjesë e koordinimit për këtë operacion.
Conte theksoi se qeveria italiane kishte konfirmuar se nuk ishte informuar për sulmin dhe se e kishte mësuar lajmin njësoj si qytetarët e tjerë, përmes agjencive të lajmeve.
Ai paralajmëroi se sulmi mund të rrezikojë sigurinë e ushtarakëve italianë, personelit që ndodhet në Tripolitani dhe interesat strategjike të Italisë.
Sipas tij, deklaratat e Zelensky ngrenë pikëpyetje edhe për rolin e qeverive të tjera evropiane në mbështetjen e operacionit.
Conte kërkoi një sqarim të menjëhershëm jo vetëm në Parlamentin italian, por edhe në nivel evropian, duke argumentuar se zgjerimi i konfliktit po ndikon në interesat kombëtare të Italisë dhe në perspektivat për arritjen e paqes. /