E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MOSKË – Rusia vë në shërbim nëndetësen bërthamore me raketa hipersonike “Zircon”

MOSKË – Rusia vë në shërbim nëndetësen bërthamore me raketa hipersonike “Zircon”

MOSKË, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin ka vënë në shërbim të flotës ushtarake ruse, nëndetësen bërthamore “Perm”, gjatë një ceremonie të ngritjes së flamurit ushtarak, të zhvilluar sot në qytetin Severodvinsk, në veri të Rusisë.

“Perm” pritet të jetë nëndetësja e parë e pajisur që në ndërtim me raketa hipersonike “Zircon”, të cilat do të jenë pjesë e armatimit të saj standard.

Ajo do t’i bashkohet Flotës Ruse të Paqësorit dhe do të kontribuojë në mbrojtjen e Lindjes së Largët të vendit dhe të territorit rus në Arktik.

“Rusia është një nga vendet e pakta në botë që ka aftësinë të ndërtojë nëndetëse të tilla të fuqishme bërthamore, armë me rreze veprimi dhe rëndësi globale”, deklaroi Putin gjatë ceremonisë së vënies në shërbim.

Presidenti rus bëri të ditur se deri në vitin 2030, marina ruse do të pajiset me pesë nëndetëse të tjera raketore.

Njoftimet e mëparshme të autoriteteve ruse kanë treguar se deri në atë vit, synohet zëvendësimi i dy nëndetëseve të fundit bërthamore të ndërtuara në periudhën sovjetike.

Kantieri detar “Sevmash”, i ngarkuar me ndërtimin e këtyre nëndetëseve, ndodhet pranë Detit të Bardhë, në afërsi të qytetit Arkhangelsk, rreth 1,000 kilometra në veri të Moskës.

Rusia ka përdorur për herë të parë raketat hipersonike “Zircon” në luftën kundër Ukrainës, e cila ka hyrë në vitin e saj të pestë.

Këto raketa konsiderohen të vështira për t’u interceptuar, zbuluar dhe goditur nga sistemet kundërajrore.

Gjatë luftës, Rusia ka humbur disa anije luftarake, ndërsa flota e saj është detyruar të tërhiqet nga pjesa perëndimore e Detit të Zi. /

Lini një koment