E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Stuhitë lënë qindra-mijëra banorë pa energji elektrike, anulohen qindra fluturime

SHBA – Stuhitë lënë qindra-mijëra banorë pa energji elektrike, anulohen qindra fluturime

– Qindra-mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike pasi stuhitë e fuqishme goditën të dyja brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë festës së Ditës së Falënderimeve, raporton BBC.

Erërat e forta, reshjet intensive të shiut dhe përmbytjet bregdetare kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa Pensilvania, Virxhinia, Merilendi dhe Nju-Xhersi janë ndër shtetet më të prekura.

Numri i banesave pa energji elektrike arriti në afro një milion mbrëmjen e së enjtes.

Moti i keq ka shkaktuar gjithashtu probleme të mëdha në transportin ajror. Sipas platformës FlightAware, më shumë se 2 500 fluturime brenda, drejt ose nga SHBA-ja u vonuan të enjten, ndërsa mbi 450 u anuluan.

Në Merilend, disa ura u mbyllën për shkak të erërave të fuqishme, ndërsa në Uashington ujërat përmbytën pistat e aeroportit kombëtar “Ronald Reagan”.

Në disa zona, përfshirë pjesë të shtetit të Nju-Jorkut, është shpallur gjendja e emergjencës.

Në Central Park të Nju Jorkut u regjistruan afro pesë centimetra reshje shiu, duke shënuar Ditën e Falënderimeve me reshjet më të dendura që prej fillimit të regjistrimeve meteorologjike në këtë pikë matjeje.

Për shkak të motit të keq, parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve “Macy’s” në Nju-Jork u shty për të shtunën, për herë të parë në historinë e saj 100-vjeçare.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të shqyrtonte mundësinë e akordimit të fondeve të emergjencës.

Meteorologët parashikojnë një përmirësim të kushteve atmosferike gjatë fundjavës, ndërsa një sistem i ri me presion të ulët pritet të sjellë reshje intensive dhe erëra të forta të hënën.

Lini një koment