Çmimi i Goldman për vitin 2026 i jepet gjashtë grave për mbrojtjen e mjedisit
Fitueset nga Kolumbia, Nigeria, Papua-Ginea e Re, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA nderohen për përpjekjet në mbrojtjen e klimës
Për herë të parë që nga viti 1989, të gjitha fitueset e Çmimit të Mjedisit Goldman janë gra. Ky çmim prestigjioz, shpesh i quajtur si “Nobeli i Gjelbër”, iu dha këtij viti gjashtë aktivisteve që punojnë në nivel bazë për mbrojtjen e klimës dhe biodiversitetit.
Fitueset për këtë vit janë: Iroro Tanshi nga Nigeria, Borim Kim nga Koreja e Jugut, Sarah Finch nga Mbretëria e Bashkuar, Theonila Roka Matbob nga Papua-Ginea e Re, Alannah Acaq Hurley nga Shtetet e Bashkuara dhe Yuvelis Morales Blanco nga Kolumbia. Çdo vit, fitueset zgjidhen nga gjashtë rajonet kryesore të botës dhe secila prej tyre merr 200,000 dollarë si shpërblim.
Një nga fitueset, Yuvelis Morales Blanco, e cila përfaqëson rajonin e Amerikës së Jugut dhe Qendrore, luftoi kundër disa prej kompanive më të mëdha të naftës për të ndaluar futjen e frakimit komercial në Kolumbi. Aktivizmi i saj filloi pas një derdhjeje të madhe të naftës në vitin 2018, e cila detyroi zhvendosjen e shumë familjeve lokale dhe shkaktoi vdekjen e mijëra kafshëve. Veprimtaria e saj arriti të nxisë ndërgjegjësimin për çështjen e frakimit në zgjedhjet e Kolumbisë të vitit 2022.
Borim Kim, fituesja për Azinë, krijoi organizatën Youth 4 Climate Action dhe fitoi një vendim nga Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut që politika e klimës e qeverisë shkelte të drejtat kushtetuese të brezave të ardhshëm. Ndërkohë, Sarah Finch, fituesja për Europën, bashkë me Grupin e Veprimit Weald, luftoi për më shumë se një dekadë kundër shpimeve të naftës në juglindje të Anglisë dhe fitoi një vendim të rëndësishëm nga Gjykata Supreme në qershor 2024.
Gjithashtu, Theonila Roka Matbob dhe Alannah Acaq Hurley, nga Papua-Ginea e Re dhe SHBA respektivisht, kanë luftuar kundër ndikimeve shkatërruese mjedisore të projekteve të minierave. Në anën tjetër, Iroro Tanshi nga Nigeria arriti të rigjente llojin e rrezikuar të lakuriqëve të natës me bisht të shkurtër dhe ka punuar për të mbrojtur rezervatin ku jetojnë këto kafshë nga zjarret e shkaktuara nga njeriu.