Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaIntervistaNga Tirana në Michigan: historia e një ëndrre që nuk u dorëzua

Nga Tirana në Michigan: historia e një ëndrre që nuk u dorëzua

Intervistë me Stolion Litin

I lindur dhe i rritur në Tiranë, Stolion Liti i përket brezit që përjetoi nga afër vitet e trazuara të tranzicionit shqiptar, nga rënia e regjimit komunist dhe ngjarjet e ambasadave në fillim të viteve ’90, deri te pasojat e krizës së firmave piramidale dhe trazirat civile që pasuan.

Në moshën 17-vjeçare ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur një rrugëtim të ri larg vendlindjes, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Shkollimin e mesëm e përfundoi në Victor Valley, Kaliforni, ndërsa më pas u vendos në Michigan, ku u diplomua në Wayne State University në fushën e Financës dhe Menaxhimit të Biznesit.

Karrierën profesionale e nisi në industrinë e mikpritjes si menaxher restoranti në Bacco Ristorante. Gjatë periudhës së drejtimit të tij, restoranti u vlerësua me çmimin “Best Restaurant of the Year”, një nga vlerësimet më prestigjioze të akorduara nga Detroit Free Press dhe Hour Magazine.

Në vitin 2012, Liti ndërmori hapin e parë në sipërmarrje si bashkëpronar i Prime 29 Steakhouse. Sot ai është partner dhe Drejtor Operacional (COO) i Prime Concepts Detroit, një prej kompanive më të njohura të industrisë së mikpritjes në Michigan. Kompania numëron mbi 400 punonjës dhe administron një portofol markash dhe destinacionesh të njohura, ku përfshihen Prime 29, Nara, Aurora Italiana, Sexy Steak, Aurora on the Lake dhe Wabeek Golf Club. Së shpejti, këtij grupi do t’i shtohen edhe tre projekte të reja: Aurora Trattoria, Stoli’s Bistro dhe Café Jolie.

Përtej suksesit profesional, Stolion Liti e konsideron familjen themelin e jetës së tij. Ai është bashkëshort i Alba Males dhe baba i dy fëmijëve, Mason dhe Alexa. Vlerat që udhëheqin jetën e tij janë familja, besimi në Zot dhe miqësia e sinqertë, e ndërtuar mbi respektin dhe jo mbi interesin.

Lexoni më poshtë bisedën që zhvilluam me të:
Stolion Liti

Na trego pak për fillimet e tua. Si ishte momenti kur erdhe për herë të parë në Shtetet e Bashkuara si pjesë e programit të shkëmbimit të nxënësve?

Ardhja në Amerikë ishte një ëndërr, por fatkeqësisht shumë shpejt u shndërrua në një luftë të ashpër mbijetese. Familja pritëse kishte shumë probleme sociale. Megjithatë, e dija se e ardhmja ime do të ishte në Amerikë. Disa gjëra ndodhin për të të sprovuar. Ishin sprova të forta që ndoshta më ndihmuan të harroj nocionin e frikës.

A e kishe imagjinuar ndonjëherë që ajo eksperiencë do të të sillte drejt ndërtimit të jetës dhe biznesit tënd në Michigan?

Kurrsesi jo. Dëshira ime ishte thjesht të mbaroja shkollën në Amerikë dhe t’ua ktheja borxhin prindërve për sakrificat që kishin bërë për mua.

Cilat janë kujtimet më të forta që ruan nga vitet e para larg Shqipërisë?

Largimi nga familja ime. Sidomos nga motra, sepse ishte më e vogël, dhe nga gjyshërit, sepse ishin në moshë të madhe.

Çfarë të shtyu të qëndroje në Amerikë dhe të vazhdoje studimet këtu?

E dija që doja të ndryshoja kursin e jetës sime. Kisha ndjesinë se Amerika do të ma ofronte këtë mundësi. Siç themi ne shqiptarët: ma ndjente zemra.

Stolion Liti me Bashkeshorten Alba dhe femijet Alexa dhe Mason

Si lindi interesi yt për industrinë e restoranteve dhe mikpritjes?

Thjesht rastësi. Punoja si kamarier për të paguar shkollën dhe shpenzimet e jetesës. Në fillim doja të bëhesha financier, por shumë shpejt krijova një dashuri të veçantë për industrinë e restoranteve. Nuk shkoja kurrë në punë pa dëshirë. Restoranti ishte vendi ku ndihesha vetvetja, pa komplekse, duke bërë diçka që më pëlqente vërtet.

Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët gjatë viteve të para si student dhe më pas si profesionist i ri?

Sfida shumë të forta, aspak të lehta. Punoja tre punë dhe njëkohësisht ndiqja studimet. Pastaj vinin streset e dokumenteve të emigracionit. I njoh mirë sakrificat e shumë shqiptarëve dhe nuk mendoj se ia vlen të reklamoj udhëtimin tim, por po ta përmbledh me pak fjalë: beteja të forta që të testojnë karakterin.

Prindërit e Stolionit, Lindita dhe Sevo Liti.

Ka pasur momente kur ke menduar të dorëzohesh? Si i ke kapërcyer ato?

Pa u mburrur, jo. Ndoshta sepse e dija që çdo vështirësi do të kishte një fund. Pastaj më shoqëronte gjithmonë frika se mos zhgënjeja familjen time, e cila kishte shpenzuar të gjitha kursimet për ardhjen time në Amerikë. Nuk ma lejonte sedra.

Sot je i përfshirë në menaxhimin e disa restoranteve dhe bizneseve. Cilat janë parimet që përpiqesh të ndjekësh çdo ditë në punën tënde?

Kualiteti dhe mikpritja ndaj klientit. Ajo mikpritja vetmohuese e shqiptarit. Gjithashtu, punësimi i njerëzve me karakter të mirë dhe energji pozitive është një pjesë shumë e rëndësishme e recetës së suksesit.

Çfarë mendon se e dallon një biznes të suksesshëm nga të tjerët në një treg kaq konkurrues?

Pasioni dhe integriteti. Të bësh, pas dyerve të mbyllura, më të mirën për klientët e biznesit tënd. Shpesh është e vështirë, sepse dëshira për më shumë fitime mund të të verbojë.

Restoranti AURORA

Sa e rëndësishme është mikpritja në filozofinë tënde të punës dhe në marrëdhëniet me klientët?

Për mua mikpritja është gjithçka. Është e vetmja gjë që nuk mund të kopjohet. Mënyra se si e bën klientin të ndihet është arsyeja pse ai kthehet përsëri.

A mendon se origjina dhe kultura shqiptare kanë ndikuar në mënyrën se si e drejton biznesin?

Shumë, sidomos për sa i përket mikpritjes. Shpesh u them kolegëve se në Shqipëri, kur vinin miqtë në shtëpi, përfundoje duke fjetur në divan sepse krevati i jepej mikut. Mendoj se kjo është një nga arsyet pse ka kaq shumë shqiptarë të suksesshëm në industrinë e restoranteve.

Cilat janë vlerat që ke marrë nga familja dhe edukimi në Shqipëri, të cilat të kanë shërbyer më shumë në jetë?

Familja më ka dhënë, në mënyrë indirekte, vetëbesimin tim. Vij nga dy prindër të mrekullueshëm. Babai im punonte shumë dhe ishte gjithmonë i drejtë me njerëzit. Nëna ime ishte një heroinë, si shumica e nënave shqiptare. Kam pasur fatin të kem edhe dy gjyshër të jashtëzakonshëm. Mbi të gjitha, familja më ka dhënë kulturën e disiplinës. Unë besoj se vetëm një disiplinë e fortë të bën vërtet të lirë.

Restoranti AURORA ON THE LAKE ne Comerce TWP

Çfarë roli ka familja në suksesin dhe balancën e përditshme të jetës tënde?

Familja është gjithçka për mua. Është motivimi më i fortë i jetës sime. Pa ta asgjë nuk do të kishte kuptim.

Si arrin të gjesh ekuilibrin mes përgjegjësive të biznesit dhe kohës për familjen e miqtë?

Unë besoj më shumë te harmonia sesa te balanca. Shumicën e kohës jetoj një jetë në harmoni mes punës, familjes dhe shoqërisë. Ka momente kur kjo harmoni është më e dukshme dhe raste kur zbehet pak, por gjithmonë përpiqem ta rikthej.

Restoranti NARA

Çfarë ke mësuar nga puna me njerëz të kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme?

Kam mësuar t’i kuptoj njerëzit dhe të jem i vetëdijshëm se njerëz të mirë ka kudo. Siç thotë populli, pyll pa derra nuk ka.

A ka ndonjë histori apo takim me klientë që të ka lënë mbresë dhe që e kujton ende sot?

Ka shumë. Kam pasur rastin të takoj figura të njohura si Mick Jagger dhe Rolling Stones, Hugh Jackman, Joe Cocker, Mila Kunis, Mark Wahlberg, Michael Bay, Van Halen dhe shumë artistë, sportistë e politikanë të njohur. Por momentet më të bukura janë të tjera. Nuk ka gjë më të bukur sesa kur klientët u thonë fëmijëve të tu: “E di ti që babai yt është një burrë i mirë, një njeri i veçantë?” Aty çdo vuajtje dhe sakrificë merr kuptim.

Si ka ndryshuar industria e restoranteve në Michigan gjatë viteve të fundit?

Ka pasur një rritje të fortë të kostove. Është e vështirë që këto rritje t’ia transferosh klientit pa humbur vlerën. Duhet shumë disiplinë në blerje, menaxhim të kujdesshëm të menusë dhe minimizim të humbjeve. Është bërë një biznes shumë më kompleks, por klienti gjithmonë njeh vlerën, jo koston. Nëse vlera e shtuar është e pranishme, klienti e justifikon çmimin.

Çfarë mendimi ke për brezin e ri të shqiptarëve që po studiojnë dhe po ndërtojnë karrierën e tyre në Amerikë?

Jam shumë entuziast për ta. Shumë prej tyre kanë rrënjë të forta familjare, vlera pune, ndershmëri, sakrifice dhe iniciative. Besoj se kjo gjeneratë do të prodhojë drejtues të vërtetë.

Restoranti SEXY STEAK

Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve shqiptarë që vijnë këtu me ëndrra dhe ambicie të mëdha?

Do t’u thosha vetëm një gjë: përpiquni të zbuloni pasionin tuaj. Pasioni është faktori X. Nëse nuk e dashuron atë që bën, do ta kesh shumë më të lehtë të dorëzohesh.

Si e sheh komunitetin shqiptar në Michigan sot?

Ka evoluar me ritme për t’u admiruar. Kemi ende shumë punë për të bërë, por duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur. Roma nuk u ndërtua brenda një dite. Besoj se një gjeneratë që sakrifikon prodhon një gjeneratë që lulëzon dhe mendoj se emigrantët shqiptarë në Michigan e kanë kryer me dinjitet këtë detyrë.

Kur sheh pas në kohë, cili është momenti që të ka bërë të ndihesh më krenar për rrugëtimin tënd?

Jam përpjekur gjithmonë të ndihmoj njerëzit pa pritur asgjë në këmbim, përveç respektit. Shpresoj t’ia kem arritur në shumicën e rasteve.

Restoranti PRIME 29

Çfarë do të thotë për ty suksesi sot?

Suksesi im sot është kthyer në përgjegjësi. Kompania jonë punëson mbi 450 punonjës. Suksesi im është i lidhur me suksesin e tyre, me ëndrrat dhe aspiratat e tyre. Përveç familjes, skuadra ime është suksesi im i vërtetë.

Çfarë të motivon të vazhdosh të investosh energji dhe pasion në projekte të reja?

Pasioni. E dua atë që bëj. Biznesi i restoranteve ka aq shumë forma të bukura sa nuk mërzitesh kurrë. Një motivim tjetër i madh janë punonjësit tanë, të cilët përpiqen të ndërtojnë ëndrrat e tyre përmes mundësive që krijon kompania jonë.

Nëse do t’i jepje një mesazh vetes sënde 17-vjeçare që sapo mbërriti në Amerikë, çfarë do t’i thoje?

WABEEK GOLF CLUB

E kam të vështirë t’i them diçka vetes sime të asaj kohe, sepse besoj se Zoti më ka drejtuar gjatë gjithë rrugëtimit tim. Megjithatë, një gjë do ta ndryshoja: nuk do të besoja me kaq fanatizëm se njerëzit ndryshojnë.

Cilat janë planet dhe ëndrrat që dëshiron të realizosh në vitet që vijnë?

Të udhëtoj sa më shumë me familjen time, të ndihmoj sa më shumë njerëz në nevojë dhe një ditë të ndërtoj një biznes të suksesshëm në Shqipëri, për t’i dhënë diçka mbrapsht vendit tim.

 

 

:

Vizitoni websitet e restoranteve duke klikuar  me poshte

Prime 29,

Nara,

Aurora Italiana,

Sexy Steak,

Aurora on the Lake

Wabeek Golf Club

Lini një koment