Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaSiguria e Informacionit dhe Mbrojtja Civile, AKSIK dhe AKMC raportojnë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Siguria e Informacionit dhe Mbrojtja Civile, AKSIK dhe AKMC raportojnë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Nën drejtimin e kryetarit Bledar Çuçi, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka zhvilluar dy seanca dëgjimore të rëndësishme, të fokusuara në analizën e raportimeve vjetore për vitin 2025 të dy institucioneve kyçe të sigurisë dhe emergjencave në vend.

Seanca e parë, ku raportoi Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), Altin Jani, u zhvillua jashtë vëmendjes së medias. Sipas njoftimit zyrtar, “për shkak të natyrës së klasifikuar të informacionit të përfshirë në raportin e AKSIK, mbledhja u zhvillua met dyer të mbyllura.”

Në seancën e dytë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Çako, i shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, prezantoi bilancin e sfidave dhe operacioneve emergjente të vitit të kaluar.

Integrimi evropian dhe parandalimi i riskut

Gjatë fjalës së tij, Çako theksoi se përgjatë vitit 2025, agjencia është fokusuar në plotësimin e kuadrit ligjor dhe harmonizimin e dokumentacionit me strukturat ndërkombëtare, duke pasur parasysh statusin e vendit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane.

“Gjatë vitit 2025 AKMC ka pasur fokus kryesor plotësimin e kuadrit ligjor në zbatim të ligjit për Mbrojtjen Civile si dhe zbatimin e strategjisë kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe hartimin e dokumentave kryesore me qëllim përmbushjen e detyrimeve si një vend anëtar në mekanizmin e mbrojtjes civile evropiane dhe një vend kandidat për anëtarësimin në BE.”, tha Çako.

Në shtyllën e parandalimit, kreu i AKMC-së sqaroi se është kryer përditësimi i analizës kombëtare të riskut, shoqëruar me koordinim ndërinstitucional dhe fushata ndërgjegjësimi me strukturat vendore për përballimin e situatave emergjente, veçanërisht atyre që lidhen me zjarret.

Bilanci i fatkeqësive për vitin 2025, mbi 2,700 zjarre dhe përmbytje intensive

Raporti teknik i AKMC-së ka zbardhur të dhëna konkrete mbi situatën e emergjencave gjatë vitit 2025. Sipas shifrave zyrtare, zjarret kanë mbetur problemi kryesor përgjatë vitit të kaluar, duke kërkuar një angazhim masiv të forcave njerëzore dhe logjistike.

“Gjatë 2025, janë regjistruar në total 2743 raste zjarri, dëme të shkaktuara sipërfaqe e djegur 62.943 ha, për të cilët janë angazhuar 30’215 forca operacionale vendore, me 2284 automjete, 2 helikopterët e Forcës Ajrore të Forcave të armatosura, të cilët kryen mbi 120 operacione.”

Përveç vatrave të zjarrit, periudha raportuese ka shënuar edhe fenomene të tjera natyrore. Çako bëri me dije se janë regjistruar 52 lëkundje tërmeti, si dhe “përmbytje intensive në qarqet Vlorë dhe Lezhë”.

Përballimi i këtyre situatave ka vënë në lëvizje Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), e cila ka koordinuar operacionet me struktura të ndryshme kombëtare dhe rajonale.

“Gjithashtu QKOEC ka siguruar bashkërendim me ERCC, forcat operacionale shqiptare, si Policia e Shtetit, MZSH, Forcat e Armatosura, Urgjenca Mjekësore, FNSH, Forca të Sigurisë dhe kërkim shpëtimit nga Kosova.”, theksoi Çako.

Pas prezantimit të raporteve, deputetët anëtarë të komisionit parlamentar u ndalën përmes pyetjeve në pika specifike si investimet e bëra në sektorin e mbrojtjes nga zjarri (MZSH), dëmshpërblimet dhe kompensimet financiare për qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore, si dhe nevoja për përfshirjen e teknologjisë moderne në monitorimin e risqeve.

Lini një koment