Ekspertët zbulojnë skandalin me topin e ri në Botëror!
Një problem i ri dhe i papritur ka pushtuar vëmendjen në Kampionatin Botëror 2026. Këtë herë nuk bëhet fjalë për vendimet e arbitrave apo sistemin VAR, por për vetë protagonistin kryesor të lojës: topin.
Sipas një raportimi të fundit nga e përditshmja prestigjioze britanike “The Telegraph”, ekspertët kanë ngritur alarmin se topi zyrtar i këtij turneu është tejet i paparashikueshëm në ajër, duke shkaktuar kaos dhe probleme serioze në fushën e blertë.
Lojtarët, dhe në veçanti portierët, kanë filluar të ankohen ashpër për trajektoret e çuditshme që merr topi kur goditet me forcë nga distanca. Sipas analizave të ekspertëve të aerodinamikës, dizajni i ri dhe materialet e përdorura e bëjnë atë të ndryshojë drejtim papritur në fraksionin e fundit të sekondës. Kjo e bën llogaritjen e pritjes një mision gati të pamundur për “gardianët” e portës.
Kjo situatë ka rikthyer menjëherë në vëmendje makthin e famshëm të “Jabulanit”, topit kontrovers të Botërorit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut, i cili u kryqëzua për lëvizjet e tij jonormale. Ndërkohë që portierët ndihen të terrorizuar dhe të pambrojtur nga këto lëvizje të paparashikueshme, sulmuesit po fërkojnë duart për të përfituar nga ky “defekt” e për të shënuar gola spektakolarë nga jashtë zone.