82-vjetori i gjenocidit grek, Bido: Çamëria është dhimbja e gjithë shqiptarisë
Në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, Bashkia Konispol dhe Shoqata Çamëria organizuan aktivitetin përkujtimor me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Ceremonia mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve, komunitetit çam dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer këtë ditë në një moment reflektimi dhe bashkimi kombëtar.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe rrugëtimin e gjatë të komunitetit çam për të mbajtur gjallë çështjen e tyre.
Në fjalën e tij Ardit Bido, tha se u deshën dekada të tëra që shteti shqiptar të arrinte të shpallte 27 qershorin si ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Ai kujtoi se pas 45 viteve nga martirizimi i mbi 3000 shqiptarëve në eksodin biblik nga Çamëria dhe vdekjes së po aq të tjerëve nga uria e etja, fjala “Çamëri” mundi të përmendej sërish dhe komuniteti të organizohej.
“U deshën 45 vite pas martirizimit të mbi 3000 shqiptarëve në një eksod biblik nga Çamëria dhe vdekjen e po 3000 të tjerëve nga etja e nga uria këtu ku ne jemi, që të mundej të përmendej fjala Çamëri sërish, që të mundej të bashkëorganizohej gjithë komuniteti dhe të krijonte shoqatën e parë atdhetare politike pas regjimit komunist. U deshën 50 vite pas martirizimit të shqiptarëve të Çamërisë që shteti shqiptar të rritej në nivelin e detyrës së vet dhe ta shpallte 27 qershorin si ditën e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Bido shtoi se pas 50 viteve shteti shqiptar arriti të shpallte 27 qershorin si ditën e gjenocidit, ndërsa pas 70 viteve kodrat që fshihnin eshtrat dhe plagën kombëtare u kthyen në varreza monumentale dinjitoze.
“U deshën 70 vite nga dita e martirizimit që këto kodra, të cilat fshihnin nën tokë jo vetëm eshtrat por plagën e madhe kombëtare, të ktheheshin në varreza monumentale dinjitoze, të cilat e mbajnë gjallë çështjen çame sa të jetë njeriu në këtë tokë. U deshën 82 vite që këtë aktivitet, që e ka organizuar përherë Shoqata Çamëria në të gjitha vitet e ekzistencës, ta organizojë sot shteti shqiptar.,” u shpreh ai.
Duke folur për kuptimin e kësaj dite, Bido theksoi se Çamëria nuk është vetëm dhimbja e atyre që kanë humbur paraardhësit apo trojet e tyre, por është dhimbja e gjithë shqiptarisë.
“Është dhimbje e të majtëve dhe të djathtëve, e shqiptarëve të Çamërisë, e Labërisë, e Toskërisë, e Gegërisë, e Kosovës dhe e Maqedonisë. Është bindja jonë e madhe kombëtare,” tha ai.
Deputeti vuri në dukje se komuniteti çam ka meritën e dyfishtë: jo vetëm që ka mbajtur gjallë dhimbjen, por edhe ka arritur të mohojë urrejtjen, duke e kthyer këtë plagë në dëshirë për drejtësi dhe bashkëjetesë në harmoni.
“Prandaj shqiptarëve të Çamërisë ne u kemi një borxh të shumëfishtë: na kanë treguar vlerën e harmonisë, mungesën e urrejtjes dhe faktin që asnjë çështje e pasgjidhur nuk mund të shuhet pa u zgjidhur. Çështja çame do të zgjidhet sa kohë ne jemi këtu çdo 27 qershor dhe për sa kohë çdo shqiptar e mban në zemrën e vet këtë çështje,” përfundoi Bido.
Në aktivitetin përkujtimor të mbajtur në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, kryetari i Bashkisë Konispol, Ergest Dule, theksoi se kujtimi i kësaj dite nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me ruajtjen e kujtesës historike dhe trashëgiminë kulturore të brezave.
Dule u shpreh se përkujtimi i genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë është një akt bashkimi dhe jo ndarje.
“Kujtimi i kësaj dite si dita e genocidit nuk do të thotë që ne jemi hakmarrës. Nuk do të thotë që ne duhet të luftojmë njëri-tjetrin, por duhet të jemi bashkë, të përkujtojmë këto data, të transmetojmë në breza traditën tonë, kulturën tonë, historinë tonë dhe ashtu çështja çame do të vazhdojë të jetojë sa të gjithë brez pas brezi ta transmetojnë atë. Komuniteti Çam nuk është vetëm ai që numërohet në regjistra”