Monday, 6 July 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorHaaland eliminon Brazilin nga Botërori, Anglia kalon Meksikën mes spektaklit

Haaland eliminon Brazilin nga Botërori, Anglia kalon Meksikën mes spektaklit

Norvegjia shkakton surprizën më të madhe të Kupës së Botës 2026, duke eliminuar Brazilin me rezultatin 2-1 në fazën e 1/8 së finales.

Heroi absolut i sfidës në New Jersey është Erling Haaland, i cili realizon dopietë dhe dërgon skandinavët për herë të parë në çerekfinalet e një Botërori.

Ndeshja nis me ritëm të lartë dhe Norvegjia mendon se kalon në avantazh, por goli i Patrick Berg anulohet për pozicion jashtë loje të Alexander Sørloth.

Brazili fiton më pas një penallti pas ndërhyrjes së Kristoffer Ajer ndaj Matheus Cunha, por Bruno Guimarães dështon nga pika e bardhë, pasi portieri Ørjan Nyland pret goditjen e tij.

Brazilianët krijojnë raste të tjera me Gabriel Martinelli dhe Vinícius Júnior, por Nyland zhvillon një ndeshje të jashtëzakonshme, duke mbajtur portën të paprekur. Në anën tjetër, Martin Ødegaard dhe norvegjezët vazhdojnë të kërcënojnë portën e Alisson Becker.

Në pjesën e dytë, trajneri Carlo Ancelotti aktivizon Endrick, i cili humbet një mundësi të artë vetëm përballë Nyland. Portieri norvegjez vazhdon të jetë vendimtar edhe ndaj Rayan, ndërsa Norvegjia fiton gjithnjë e më shumë terren.

Në minutën e 79-të vjen momenti i shumëpritur. Andreas Schjelderup harkon nga e majta dhe Erling Haaland godet saktë me kokë në shtyllën e dytë, duke kaluar Norvegjinë në avantazh.

Vetëm pak minuta më vonë, sulmuesi i Manchester City vulos fatin e sfidës. Haaland shfrytëzon një tjetër rast dhe me një goditje të saktë me të majtën mposht Alissonin për herë të dytë, duke heshtur pesë herë kampionët e botës.

Brazili arrin vetëm të zbusë humbjen në minutat shtesë. Pas një penalltie të fituar nga Casemiro, Neymar shënon nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 2-1.

Me këtë dopietë, Haaland ngjitet në kuotën e shtatë golave në Kupën e Botës 2026, duke barazuar Lionel Messin dhe Kylian Mbappén në krye të garës për “Këpucën e Artë”.

Norvegjia siguron kështu kualifikimin historik në çerekfinale, ku pret fituesin e përballjes mes Meksikës dhe Anglisë, ndërsa Brazili largohet nga Botërori dhe regjistron humbjen e shtatë radhazi ndaj skuadrave evropiane në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës.

***

Anglia është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj bashkëorganizatores Meksikë në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca”.

Takimi nisi me një orë vonesë, ndërsa vendasit krijuan rastin e parë të madh me Raúl Jiménez, por Jordan Pickford reagoi në mënyrë fantastike. Në anën tjetër, Anthony Gordon testoi portierin Raúl Rangel, por pa sukses.

“Tre Luanët” goditën fort në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 36-të, Jude Bellingham shfrytëzoi një krosim perfekt të Bukayo Saka për të kaluar Anglinë në avantazh, ndërsa vetëm dy minuta më vonë realizoi dopietën pas asistit të Harry Kane, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Meksika reagoi para pushimit. Julián Quiñones ngushtoi shifrat në 2-1, duke rikthyer shpresat e tifozëve vendas.

Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Nico O’Reilly goditi shtyllën për Anglinë, por pak më vonë skuadra e Thomas Tuchel mbeti me 10 lojtarë, pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it.

Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Anglia rivendosi diferencën prej dy golash në minutën e 60-të. Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Anthony Gordon u pengua në zonë nga Raúl Rangel.

Drama nuk kishte përfunduar. Edhe Meksika fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it dhe Raúl Jiménez realizoi për 3-2, duke i dhënë emocione të forta minutave të fundit.

Vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit, por mbrojtja angleze rezistoi deri në vërshëllimën e fundit, duke siguruar një fitore të vuajtur dhe kualifikimin në mesin e tetë skuadrave më të mira të Botërorit.

Në çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, ndërsa aventura e Meksikës përfundon në fazën e 1/8-ave, duke i dhënë fund edhe serisë prej 12 ndeshjesh pa humbje.

Lini një koment