Sunday, 12 July 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorArgjentinasit provokojnë anglezët, këndojnë për ishujt Falkland

Argjentinasit provokojnë anglezët, këndojnë për ishujt Falkland

Gjysmëfinalja mes Argjentinës dhe Anglisë duket se nuk do të jetë vetëm një ndeshje futbolli, por edhe një luftë nervash dhe provokimesh mes dy vendeve që prej më shumë se 40 vitesh janë në konflikt me njëra-tjetrën.

Shkak kësaj here është bërë kënga me titullin “Ylli i katërt” që futbollistët argjentinas këndojnë pas çdo fitoreje në Botëror, në tekstin e së cilës, mes të tjerash, përmenden edhe Ishujt Falkland, të pretenduar prej dekadash nga të dyja shtetet dhe që në vitin 1982 u bënë shkak për një luftë disa ditore mes tyre.

Kjo situatë që përzien politikën me sportin u përsërit edhe pas sfidës me Zvicrën, ku lojtarët argjentinas kënduan në kor vargjet e kësaj kënge.

Megjithatë, FIFA ka vendosur të mos e ndëshkojë përfaqësuesen argjentinase, edhe pse rregullorja ndalon manifestime të këtij lloji. Përballja e 15 korrikut në Atlanta do të jetë e gjashta në finalet e Botërorit mes të dyja skuadrave.

Anglezët ende nuk e kanë falur atë gol me dorë të Diego Armando Maradonës në vitin 1986, që solli eliminimin e “Tre Luanëve” që në çerekfinale.

Për shkak të këtyre episodeve, çdo përballje mes Argjentinës dhe Anglisë ka marrë një ngarkesë të veçantë emocionale, duke shkuar përtej kufijve të një ndeshje të zakonshme futbolli.

Lini një koment