Infantino hap mundësinë për një Kupë Bote me 64 skuadra
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk e përjashtoi mundësinë që Kampionati Botëror i meshkujve të zgjerohet në 64 skuadra, duke theksuar se një vendim i tillë do të shqyrtohet pas edicionit të vitit 2026. Infantino, në krye të FIFA-s që nga 2016, pohoi se turneu duhet të jetë i hapur për të gjithë vendet dhe t9u japë mundësi përfaqësueseve më të vogla të përmirësohen.
Sipas bbc, propozimi për një Botëror me 64 skuadra u paraqit zyrtarisht nga Conmebol në prill 2025 dhe do të vlerësohet pasi të përfundojë edicioni i 2026. Infantino vlerësoi se suksesi i zgjerimit në 48 skuadra — përfshirë kalimin në fazën e nokautit të nëntë nga dhjetë përfaqësuese afrikane — tregon nevojën për të shqyrtuar se si mund të funksionojë një format me më shumë ekipe.
Ideja ka hasur rezistencë nga disa drejtues rajonalë: presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin e përshkroi atë si një zgjidhje të dëmshme për formatin dhe procesin e kualifikimit, ndërsa kreu i Konfederatës Aziatike, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, paralajmëroi se zgjerimi mund të sjellë kaos. Presidenti i Concacaf, Victor Montagliani, shprehu gjithashtu rezervat e tij, ndërsa Andrew Giuliani, drejtor ekzekutiv i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, tha se Shtetet e Bashkuara mund të merrnin në konsideratë një kandidaturë për vitin 2038 dhe se do të ishin në gjendje ta organizonin një kompeticion të zgjeruar.
Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i FIFA-s, i cili sipas FIFA-s do të diskutojë idetë e zgjerimit me palët e interesuara dhe është i detyruar të shqyrtojë propozimet e anëtarëve të tij; megjithatë nuk duket se një ndryshim i tillë është i afërt, raporton bbc. Kur u zgjodh në 2016, Infantino kishte përfshirë në programin e tij rritjen e numrit të skuadrave si një objektiv të mandatit të tij.