Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaHaxhiu takohet me komandantin e Komandës Aleate në Napoli: Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës

Haxhiu takohet me komandantin e Komandës Aleate në Napoli: Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.

Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për koordinimin me NATO-n.

“Sot pata kënaqësinë ta pres Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin dhe shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

“E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pakthyeshëm, ndërsa anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë synim strategjik i vendit.

“Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.

Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit. /Telegrafi/

Lini një koment