Tuesday, 4 August 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaNga “Gazivodën s’e japim” më 2016, te “dorëzimi” i Vuçiq për rrënimin e 17 objekteve në Ujman, më 2026

Nga “Gazivodën s’e japim” më 2016, te “dorëzimi” i Vuçiq për rrënimin e 17 objekteve në Ujman, më 2026

Në prill të vitit 2016 Aleksandar Vuciq shërbente si kryeministër në Serbi.

Në njërën nga ditët e këtij muaji, ai vendosi të vijë në Kosovë, në një vizitë të lejuar nga autoritetet e këtushme.

Një nga pikat ku u ndal, ishte Liqeni i Ujmanit, që ndryshe njihet edhe si Gazivodë, emër ky të cilin, tash së fundmi më tepër e shfrytëzojnë serbët.

Ani se po shëtiste nëpër këtë aset të madh ujor të Kosovës, më 3 prill 2016, Vuçiq e kishte cilësuar atë si “resurs me rëndësi strategjike për Serbinë dhe serbët në Kosovë”, duke deklaruar se Beogradi nuk do të heqë dorë nga ai.

I shoqëruar nga shumë njerëz, përfshirë përfaqësues të Listës Serbe, por edhe shefi ne asaj që Beogradi e quan “zyrë për Kosovë”, Marko Gjuriq, të cilin policia e Kosovës dikur më vonë do ta deportonte në Serbi pasi e kishte arrestuar paraprakisht për hyrje pa leje në Kosovë, Vuçiq kishte thënë se “liqeni i Gazivodës dhe potenciali i tij hidroenergjetik kanë rëndësi të madhe”, ndërsa theksoi se kapacitetet ujore shfrytëzohen kryesisht nga shqiptarët për nevojat e termocentralit të Obiliqit dhe furnizimin me ujë.

Ai pati deklaruar se Serbia ka ofruar lloje të ndryshme marrëveshjesh për Gazivodën, por jo marrëveshje që, sipas tij, do të nënkuptonin “marrjen ose rrëmbimin” e liqenit nga serbët, prej, sic thoshte ai atëherë, shqiptarëve të Kosovës.

“Për ne, Gazivoda ka rëndësi strategjike për mbijetesën e popullit serb në veri të Kosovës. Gjithmonë kemi ofruar marrëveshje, por jo të tilla që do të nënkuptonin marrjen e plotë apo rrëmbimin e Gazivodës nga duart serbe”, kishte deklaruar atëherë Vuçiq, transmeton KosovaPress.

Ai pretendonte se pala kosovare nuk kishte pranuar propozimet e Beogradit, por kishte shtuar se “Serbia mbetej e gatshme të furnizojë me ujë palën shqiptare”.

“Gjithmonë jemi të gatshëm ta furnizojmë me ujë palën shqiptare. Me këtë nuk kemi pasur problem deri më tani dhe nuk do të kemi as në të ardhmen”, ishte shprehur ai.

Vuçiq pati thënë që Serbia nuk mund të heqë dorë nga një resurs që, sipas tij, është ndërtuar dhe ruajtur nga shteti serb.

“Kam thënë në Bruksel: ‘Flisni për çfarë të doni, por Gazivodën nuk e japim’. Pas kësaj bisedimet nuk vazhduan dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar”, deklaroi Vuçiq gjatë vizitës në Ujman më 3 prill 2016.

Me këtë deklaratë të Vuçiq, të dhënë para më shumë se 10 vjetëve, tash po tallen shumëkush në Beograd dhe jo vetëm. Sidomos pas rrënimeve të objekteve pa leje që janë ndërtuar këtu nga serbët, në pronat e ndërmarrjes kosovare Ibër Lepenc, e të cilat janë kryer, së fundmi, nga autoritetet e Republikës së Kosovës. Vuçiq nuk u pa në Ujman, për t’i “mbrojtur” ato objekte.

“Dhjetë vjet pasi Vuçiq tha se nuk i jep Gazivodën, janë rrënuar 17 objekte”, ishte një titull i madh në gazetën “Danas” të Beogradit, të hënën.

Në brigjet e Ujmanit e kishte ndërtuar një vilë luksoze edhe Milan Radojciq, i kërkuar nga Kosova për sulmin terrorist në Banjskë, në shtator 2023. Shtëpia e tij e bukur tashmë është vënë në kontroll të autoriteteve të Republikës së Kosovës. Ashtu edhe krejt liqeni.

Lini një koment