E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Sporti›Abissnet Superiore: Egnatia nis shkëputjen, rezultatet dhe renditja pas javës 11

Abissnet Superiore: Egnatia nis shkëputjen, rezultatet dhe renditja pas javës 11

Pas javës së 11-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, Egnatia ka arritur të krijojë një distancë të konsiderueshme nga ndjekësit, 7 pikë nga Teuta e vendit të dytë. Rrogozhinasit regjistruan fitoren e 3-ë radhazi në kampionat, teksa triumfuan 5-1 në shtëpi përballë Vorës.

Skuadra e trajnerit Nevil Dede kaloi në avantazh në pjesën e parë me Kryeziun, ndërsa në fraksionin e dytë ishin Adjessa, Fernando, Kasa dhe Albanesse, të cilët “vulosën” suksesin dhe tri pikët për Egnatian. Për Vorën realizoi Karrica golin e barazimit të përkohshëm.

Kampionët në fuqi kryesojnë renditjen me 27 pikë, të ndjekur nga Teuta me 20 pikë. Durrsakët u mposhtën në transfertë nga Tirana, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Bardheblutë morën maksimumin e pikëve falë golit të Dacit në minutat e fundit të takimit. Me këtë fitore, kryeqytetasit ngjiten në vendin e katërt të renditjes, me 15 pikë.

Skënderbeu vijon serinë pozitive, duke regjistruar ndeshjen e pestë radhazi pa humbje në kampionat. Korçarët triumfuan 2-0 ndaj Dinamo City, në një takim ku golat u shënuan në pjesën e dytë nga Nassr, me penallti, dhe Bismark. Nga ana tjetër, dinamovitët humbasin terren në garën për kreun, duke mbetur në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Skënderbeu ngjitet në vendin e pestë me 14 pikë.

Fitore në këtë javë regjistruan edhe Partizani dhe Vllaznia. Shkodranët mposhtën 1-0 Elbasanin, falë golit të të riut Sokol Uldedaj, ndërsa Partizani mori tri pikë të rëndësishme në transfertën e Laçit. Në këtë përballje vendimtare ishte goli i Spahiut nga pika e bardhë e penalltisë.

Gara në pjesën e poshtme të renditjes mbetet mjaft e fortë. Elbasani dhe Skënderbeu kanë nga 14 pikë, Vora renditet në vendin e shtatë me 13 pikë, e ndjekur nga Vllaznia me 12, Laçi me 11 dhe Partizani në vendin e fundit me 10 pikë. Abissnet Superiore do të rikthehet pas pushimit të kampionatit për shkak të angazhimeve të Kombëtareve.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment