Ademi: Flamurtari – Prishtina, ndeshja që nisi një epokë të re të futbollit kosovar
Më 13 shtator 1991, në stadiumin e Flamurtarit, u zhvillua një ndeshje që do të hynte në historinë e futbollit të Kosovës. Flamurtari – Prishtina përfundoi 3:2 dhe shënoi startin e Kampionatit të pavarur të Kosovës nën okupimin serb.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një postim përkujtues, ka rikthyer në vëmendje atë ditë historike.
Sipas Ademit në rrethana të jashtëzakonshme, pas përjashtimit të klubeve shqiptare nga stadiumet dhe shtypjes së institucioneve kosovare, futbolli vazhdoi rrugëtimin e tij në mënyrë të pavarur. Ajo gjeneratë e futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve e shndërroi sportin në një tjetër formë të rezistencës dhe ruajtjes së identitetit.
Nga ai kampionat i vitit 1991 nisi një rrugëtim i gjatë, që 25 vjet më vonë do ta çonte Kosovën në UEFA dhe FIFA.
Postimi i plotë i presidentit të FFK-së:
Flamurtari – Prishtina, ndeshja që nisi një epokë dhe hyri në histori
Më 13 shtator 1991, në një kohë kur gjithçka shqiptare në Kosovë po përballej me shtypje, përndjekje dhe përjashtim, në stadiumin e Flamurtarit u luajt një ndeshje që do të mbetej përgjithmonë në historinë e futbollit tonë.
Flamurtari – Prishtina (3:2). Kjo nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli. Ishte ndeshja e parë e Kampionatit të pavarur të Kosovës, e nisur vetëm pak javë pas themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, më 20 gusht 1991, të cilës i priu Agim Bytyçi.
Në një kohë kur regjimi i atëhershëm jugosllav kishte suprimuar institucionet dhe kishte larguar klubet tona nga stadiumet, njerëzit e futbollit të Kosovës morën vendimin historik: të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë të luajnë.
Dhe kështu, larg stadiumeve, në kushte të jashtëzakonshme dhe nën presion të vazhdueshëm, nisi një kampionat ku nuk kishin shumë rëndësi pikët apo trofetë. Misioni ishte tjetër. Të tregohet në këtë formë rezistenca edhe përmes sportit ndaj pushtuesit, krahas dy segmenteve tjera: arsimit dhe shëndetësisë, që po ashtu funksionin si institucione të Republikës së Kosovës.
E rëndësishme ishte se futbolli i Kosovës kishte nisur rrugëtimin e vet të pavarur. Nga ajo fushë, nga ajo ndeshje, nga ajo gjeneratë që nuk u dorëzua, nisi një rrugëtim që pas 25 vitesh do ta çonte Kosovën në UEFA dhe FIFA.
Sot, kur shohim flamurin e Kosovës në stadiumet më të mëdha të Evropës dhe botës, duhet ta kujtojmë edhe atë 13 shtator të vitit 1991. Sepse para se Kosova të bëhej pjesë e futbollit botëror, futbolli ynë duhej të luftonte për të ekzistuar.
Respekt për të gjithë ata që e nisën atë rrugëtim.
Respekt për gjeneratat që sakrifikuan.
Respekt për ata që besuan.
#MeFutbollinPërKosovën
