Ademi: Transferimet e futbollistëve kosovarë në ligat e mëdha janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar lart transferimet e futbollistëve kosovarë gjatë kësaj vere, duke theksuar se kalimet në kampionate më të forta dëshmojnë rritjen e vazhdueshme të tyre.
Në intervistën për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Ademi ka veçuar transferimet e Vedat Muriqit, Albion Rrahmanit, Mërgim Vojvodës, Lumbardh Dellovës, Amir Saipit, Ermal Krasniqit dhe të tjerëve.
“Më së pari më gëzon fakti që këto lëvizje dhe këto transfere kanë qenë të avancuara. Asnjë futbollist nuk ka shkuar në një klub më poshtë, por secili ka shkuar më lart, që do të thotë se janë kualitet dhe e bëjnë diferencën”, ka thënë Ademi.
Ai ka vlerësuar veçanërisht zhvillimin e Albion Rrahmanit, i cili këtë verë u transferua në Serie A, ndërsa ka folur edhe për Vedat Muriqin, duke e cilësuar si një figurë të rëndësishme të historisë së Mallorcas.
“Të jesh legjendë dhe të krijosh një legjendë në një klub si Mallorca, siç është Muriqi, nuk është e lehtë. Muriqi është histori edhe e Mallorcas, por tani edhe e Fenerbahçes”, është shprehur presidenti i FFK-së.
Ademi ka vlerësuar edhe punën e menaxherëve të futbollistëve, por ka bërë thirrje që lojtarëve t’u lihet liria për të zgjedhur destinacionin e tyre.
“I kisha lavdëruar disa menaxherë, sepse kanë mundur t’i çojnë futbollistët në ekipe të mira. Por futbollistët gjithmonë duhet ta kenë atë lirinë dhe mundësinë që të shkojnë në ekipe ku duan ata, jo ku dëshiron ndonjëherë menaxheri”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, vazhdimi i këtij trendi është i rëndësishëm edhe për Kombëtaren e Kosovës.
“Uroj që të kenë sukses dhe të zënë vend në ekipin standard. Kjo është shumë e mirë për Kombëtaren tonë”, ka shtuar ai.
Ademi: Çdo simbol kundër Kosovës në stadiume e raportojmë në UEFA
Ademi ka folur edhe për shfaqjen e simboleve dhe hartave që paraqesin Kosovën nën kufijtë e Serbisë në stadiumet evropiane.
Ai ka theksuar se FFK-ja raporton në UEFA çdo rast të tillë, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndeshje të Kombëtares apo klubeve kosovare.
“Federata e Futbollit, çdo vend ku e sheh që paraqitet një simbol i tillë ose një brohoritje edhe pa simbole, e ka për obligim ta lajmërojë dhe ta paraqesë në UEFA. Edhe kur nuk jemi ne, edhe kur nuk janë ndeshjet tona, i kemi çuar rastet”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka thënë se për raste të tilla janë marrë edhe masa disiplinore, ndërsa vendimet përfundimtare varen nga UEFA.
“Ne gjithmonë në UEFA jemi ankuar, i kemi çuar rastet dhe normalisht janë bërë edhe dënimet, të cilat nuk varen prej nesh, por varen prej UEFA-s”, ka theksuar ai.
Presidenti i FFK-së ka nënvizuar se sporti duhet të jetë i distancuar nga politika, ndërsa ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë dhe promovojë shtetësinë e saj në arenën ndërkombëtare.
“Mund të vizatosh çfarë të duash dhe mund të thuash çfarë të duash, por Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbrojmë atë. Asnjëherë nuk do të ndalemi në këtë drejtim për ta prezantuar Kosovën dhe për t’i paraqitur dukuritë e këqija që ndodhin në sport”, ka përfunduar Ademi.
