Saturday, 8 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaAksident tragjik në Itali, gjashtë të vdekur, 34 të plagosur

Aksident tragjik në Itali, gjashtë të vdekur, 34 të plagosur

Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 34 të tjerë mbetën të plagosur pasi një autobus me turistë u përplas me një kamionçinë dhe dy automjete në rrugën Terni-Rieti, në Italinë qendrore.

Aksidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, pranë kufirit mes rajoneve të Umbrisë dhe Lazios. Presidentja e rajonit të Umbrias, Stefania Proietti, bëri të ditur se gjashtë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.

Proietti e cilësoi ngjarjen si një emergjencë “katastrofike” me shumë viktima, duke theksuar se protokollet rajonale të emergjencës u aktivizuan menjëherë pas njoftimit të parë.

Sipas autoriteteve, autobusi po transportonte turistë drejt ujëvarave Marmore, një prej destinacioneve më të njohura turistike në Itali.

Të plagosurit u transportuan për mjekim në spitalet e Ternit, Perugias, Spoletos, Folignos dhe Rietit, ndërsa pasagjerët që shpëtuan pa lëndime u strehuan përkohësisht në Terni.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Lini një koment