AMAN – Siri-Izrael, bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për uljen e tensioneve
DAMASK, 24 gusht /ATSH-DPA/- Zyrtarë sirianë dhe izraelitë zhvilluan dje bisedime që synojnë ndalimin e sulmeve të fundit dhe uljen e tensioneve mes dy vendeve, raportoi sot agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një burim diplomatik.
Bisedimet u ndërmjetësuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u zhvilluan në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.
Delegacioni sirian drejtohej nga ministri i Jashtëm, Asaad al-Shaibani, dhe përfshinte drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës së përgjithshme dhe inteligjencës ushtarake.
“Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet pas sulmeve të fundit izraelite në territorin sirian dhe përshkallëzimit të situatës në jug të Sirisë, si dhe për të mbështetur stabilitetin në Siri dhe në rajon”, tha burimi.
Takimi u zhvillua pas disa ditësh aktiviteti të shtuar ushtarak izraelit ndaj Sirisë.
Mes sulmeve të fundit, përfshihen sulmi izraelit ndaj aeroportit Abu al-Duhur, inkursionet e forcave izraelite në jug të Sirisë dhe një sulm me dron ndaj një automjeti civil në qytetin Beit Jinn të shtunën.
Të martën, autoritetet siriane deklaruan se ushtria izraelite kishte bombarduar një aeroport ushtarak në veriperëndim të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë.
Ministria e Jashtme siriane dhe Turqia, e cila ka marrëdhënie të ngushta me udhëheqjen në Damask, i dënuan sulmet, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të Sirisë.
Pas rrëzimit të sundimtarit afatgjatë të Sirisë, Bashar al-Assad, në fund të vitit 2024, ushtria izraelite ka zgjeruar ndjeshëm operacionet e saj në jug të Sirisë dhe ka dislokuar trupa në një zonë tampon të çmilitarizuar, të kontrolluar nga OKB-ja, midis Lartësive të Golanit, të pushtuara nga Izraeli, dhe territorit sirian.
Burimi diplomatik i tha “SANA-s” se Siria përsëriti qëndrimin e saj se Lartësitë e Golanit të pushtuara janë territor sirian, ndërsa theksoi se diskutimi për statusin përfundimtar të tyre dhe procesin që do të çonte drejt një marrëveshjeje ishte ende i parakohshëm.
Sipas burimit, prioriteti i menjëhershëm është tërheqja e forcave izraelite në pozicionet që ekzistonin përpara ndryshimit të pushtetit në Siri. /