E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ambasadorja e BE në Tiranë takim me shoqërinë civile Raportin për Shqipërinë 2026, në fokus mjedisi, transparenca dhe shëndetësia

Ambasadorja e BE në Tiranë takim me shoqërinë civile Raportin për Shqipërinë 2026, në fokus mjedisi, transparenca dhe shëndetësia

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ku ka prezantuar Raportin për Shqipërinë 2026.

Përmes një postimi këtë të martë, Delegacioni i BE-së bën të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me mjedisin, transparencën, të drejtat e pronësisë mbi tokën, arsimin dhe shëndetësinë.

Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë ngritur gjithashtu pyetje mbi mënyrën se si matet progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Sipas Delegacionit të BE-së, shumë prej shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile janë pasqyruar edhe në raportin e këtij viti. Në këtë drejtim, theksohet rëndësia e konsultimeve publike dhe e marrjes së masave konkrete për adresimin e problematikave të evidentuara.

Një tjetër çështje e përmendur është nevoja që ligjet e miratuara të shoqërohen me buxhetet e nevojshme për zbatimin e tyre, përfshirë edhe politikat sociale.

“Procesi i anëtarësimit prek çdo pjesë të shoqërisë. Që rezultatet e tij të jenë të qëndrueshme, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës”, thuhet në reagimin e Delegacionit, i cili njofton se do të ndjekë nga afër çështjet e diskutuara gjatë takimit.

Lini një koment