Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ambasadorja e BE-së takon Çelën: Prokuroria e pavarur garanton rrugën drejt BE-së

Ambasadorja e BE-së takon Çelën: Prokuroria e pavarur garanton rrugën drejt BE-së

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, ku në fokus ishin sfidat me të cilat përballet sistemi i prokurorisë në vend.

Ambasadorja Moreira de Sousa bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te garantimi i drejtësisë për qytetarët dhe lufta kundër krimit.

“Drejtësia dhe lufta kundër krimit nisin me një sistem drejtësie të fortë dhe funksional. Pata një diskutim shumë të mirë me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, mbi sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi i prokurorisë në garantimin e drejtësisë për qytetarët dhe në luftën kundër krimit”, shkruan ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se “një prokurori e pavarur, me burimet e nevojshme dhe efikase është thelbësore për sundimin e ligjit dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”.

Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi këtë të mërkurë edhe një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani. Në fokus të takimit ishin prioritetet e sistemit të prokurorisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

Pas takimit, ambasadorja e BE-së theksoi rëndësinë e forcimit të sistemit të drejtësisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke bërë të qartë se mbështetja e Bashkimit Evropian për institucionet e drejtësisë do të vijojë.

Lini një koment