Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaArdit Bido reagon për përplasjen me protestuesit (VIDEO)

Ardit Bido reagon për përplasjen me protestuesit (VIDEO)

Deputeti i PS-së në zonën e Vlorës, Ardit Bido ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me tensionet e regjistruara të enjten para Parlamentit me disa protestues. Bido në reagimin e tij u shpreh se po zhvillohen dy protesta të cilat sipas tij në njërën qytetarët dalin me meme dhe kërkesa të qarta dhe tjetra është agresive.

Duke sqaruar se çfarë ndodhi dje para Parlamentit, ai u shpreh se u ndalua nga disa protestues dhe se donte të komunikonte normalisht me ta. Ai thekson ndër të tjera në video se një grup protestuesish ishin agresivë dhe e fyen duke shtuar se mund të shkonte deri edhe në dhunë fizike.

Bashkëngjitur me videon e shpërndarë, Bido shkruan se ai pa të përqendruar gjithë frymën e urrejtjes dhe intolerancës që sipas tij prej ditësh ushqehet nga tribuna e protestës, ashtu edhe në rrjetet sociale, kundër kujtdo që guxon të mendojë ndryshe.

“Ka dy lloj protestash. Një protestë ku qytetarët dalin me meme kreative, me kërkesa të qarta, që pas protestës mbledhin mbeturinat dhe që kthehen në shtëpitë e tyre duke shprehur politikisht mendimin e tyre.

Ka dhe një lloj tjetër proteste: atë të agresivitetit, të fyerjeve, të konfrontimit edhe të dhunës verbale, që e kemi parë shpesh në rrjetet sociale e që dje e pamë edhe live.

Teksa dilja nga Parlamenti dje, pas një dite të gjatë pune për të shkuar drejt makinës sime, u ndalova te disa protestues duke komunikuar normalisht.

Më vonë, erdhi një grumbull i madh, agresiv, me fyerje dhe me dhunë… që mund të shkonte drejt dhunës fizike, pavarësisht se unë nuk e pashë në asnjë moment diçka të tillë si një rrisk real.

Këtë lloj proteste të dytë, unë e tëkuaj. Në jetën time publike e në një vit e ca politike, nuk më gjeni dot asnjë moment që kam përdorur fyerje, që kam deformuar mbiemrin e dikujt, që kam bërë etiketim të pambështetur në fakte, sepse unë besoj se kjo shoqëri nuk ka nevojë për këtë lloj paradigme. Nuk ka nevojë për këtë lloj dhune, nuk ka nevojë për këtë lloj agresiviteti.

Ajo që pamë dje është se disa protestues, ose më saktë një grumbull i njerëzve të cilët janë të nxitur nga parti të vogla apo parti të mëdha, shkojnë drejt dhunës. Krejt ndryshe nga ajo protesta e sensitivitetit që mbledh mbeturinat në fund të një mitingu. Dhe këtë, ne nuk duhet ta pranojmë si shoqëri.

Mua nuk më tremb kjo gjë. Sepse unë nuk besoj se në vendin tim duhet të kem frikë se ku shkoj e ku eci. Unë nuk besoj se askush në vendin tim duhet të ketë frikë se ku shkon dhe ku ecën. Ama, këtë lloj dhune ne nuk duhet ta pranojmë. Ky është destabilizim”, tha ai ndër të tjera.

Lini një koment