Arrestimi i katër personave lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, bën të ditur se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër persona për 48 orë.
Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N.S., dhe D.S., dyshohen për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e rëndë’”, nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M.P. G.B. dyshohen për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në njoftim tutje thuhet se gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohet.
Në kuadër të procedurës penale, Prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
Më tej bëhet e ditur se brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve. /Telegrafi/