E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BANGLADESH – Mijëra punonjës të tekstileve protestojnë për rritjen e pagave

BANGLADESH – Mijëra punonjës të tekstileve protestojnë për rritjen e pagave

DAKA, 17 nëntor /ATSH-AFP/ – Mijëra punonjës të industrisë së tekstileve në Bangladesh dolën sot në protestë, duke kërkuar rritjen e pagës minimale, ndërsa përplasjet me policinë përshkallëzuan tensionet, në zonat kryesore industriale të vendit.

Protestuesit u mblodhën në Gazipur, në periferi të kryeqytetit Daka, bllokuan rrugë dhe autostrada, duke ndërprerë qarkullimin e automjeteve. Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të shpërndarë turmat.

Gjatë protestave, disa demonstrues hodhën gurë dhe tulla, ndërsa u raportua edhe për djegie automjetesh.

Demonstratat u përhapën edhe në zona të tjera industriale, përfshirë Savar dhe Ashulia.

Punonjësit kërkojnë që paga minimale mujore të rritet nga 12,500 taka aktualisht në 30,000 taka, ose rreth 240 dollarë.

Ata argumentojnë se të ardhurat nuk i përballojnë më shpenzimet në rritje për ushqimin, strehimin, transportin dhe kujdesin shëndetësor.

Protestat u intensifikuan pas shtyrjes së mbledhjes së bordit qeveritar të pagave, i krijuar për të shqyrtuar kërkesat e punonjësve dhe për të propozuar një nivel të ri të pagës minimale.

Takimi i planifikuar për të hënën u shty për më 23 nëntor, ndërsa paga e re pritet të shpallet në dhjetor.

Sipas burimeve të cituara nga agjencia AFP, rreth 500 nga 4,500 fabrikat e tekstileve në vend, janë mbyllur për shkak të protestave.

Shoqatat e prodhuesve dhe eksportuesve të veshjeve, kanë kërkuar rifillimin sa më të shpejtë të negociatave për pagat.

Bangladeshi është eksportuesi i dytë më i madh i veshjeve në botë, pas Kinës.

Industria punëson më shumë se katër milionë njerëz dhe siguron rreth 38 miliardë dollarë të ardhura në vit, si rrjedhojë ndërprerjet e prodhimit rrezikojnë të ndikojnë edhe në eksportet e vendit. /

Lini një koment