E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MANILA – Trump rikonfirmon mbështetjen amerikane për aleatët në Azi-Paqësor: Do të jemi gjithmonë me ju

MANILA – Trump rikonfirmon mbështetjen amerikane për aleatët në Azi-Paqësor: Do të jemi gjithmonë me ju

MANILA, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit të Azi-Paqësorit, duke deklaruar se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë partnerët e tij, pavarësisht se mbërriti në Filipine, përpara përfundimit të takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve të Azisë Juglindore.

Duke iu drejtuar liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Manila, Trump theksoi se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj suksesit, sovranitetit dhe mirëqenies së vendeve partnere në rajon.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend i Paqësorit, në kuptimin e plotë të fjalës dhe prej qindra vitesh kemi qenë të angazhuara në tregti, marrëdhënie ekonomike dhe diplomaci në të gjithë Azinë Juglindore”, deklaroi Trump gjatë një darke me liderët, pas ceremonisë së mbylljes së samitit.

“Jam këtu sot sepse Amerika është thellësisht e përkushtuar ndaj suksesit, sovranitetit dhe prosperitetit të miqve dhe partnerëve tanë. Ne do të jemi gjithmonë me ju”, shtoi ai.

Liderët e ASEAN-it janë mbledhur në Manila që prej së dielës, për të diskutuar çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore, konfliktin e brendshëm në Mianmar dhe ndikimin e konflikteve globale në sigurinë energjetike të rajonit.

Gjatë takimit, ata zhvilluan gjithashtu, bisedime me përfaqësues të vendeve partnere, përfshirë Japoninë, Indinë, Korenë e Jugut dhe Australinë.

Trump mbërriti në Filipine përpara përfundimit zyrtar të samitit të 49-të të ASEAN-it, në një kohë kur presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr., po i dorëzonte Singaporit presidencën e radhës të organizatës.

Marcos shpjegoi se ceremonia e përfundimit të samitit, ishte zhvilluar sipas programit, por liderëve u ishte kërkuar të qëndronin edhe për pak kohë për të marrë pjesë në takimin SHBA-ASEAN, për shkak të vizitës së Trump në Filipine.

Presidenti amerikan u prit në aeroport me një ceremoni ku morën pjesë zyrtarë filipinas, grupe të rinjsh dhe një bandë muzikore që interpretoi këngën “Y.M.C.A.”.

Trump ngriti grushtin e djathtë teksa zbriste nga avioni presidencial dhe përshëndeti me flamujt e vegjël të Filipineve dhe SHBA-së, që iu dhuruan nga një djalë i vogël.

Vizita e tij u shoqërua edhe me protesta. Deri në 6 000 aktivistë të majtë, studentë dhe përfaqësues të komuniteteve indigjene u mblodhën në një shesh publik, disa kilometra larg vendit ku zhvillohej samiti, për të kundërshtuar ardhjen e presidentit amerikan.

Pas mbërritjes në Manila, Trump zhvilloi gjithashtu një takim me liderët e Japonisë, Indisë dhe Australisë, në kuadër të Dialogut Katërpalësh për Sigurinë (Quad).

Gjatë takimit, ai deklaroi se do të përpiqej të bindte presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë rus, Vladimir Putin të angazhoheshin për t’i dhënë fund luftës në Iran.

“Besoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Do të kemi një takim të mirë për këtë çështje”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan pritet të takohet me homologun filipinas, Ferdinand Marcos Jr., nesër para mesditës, gjatë një vizite të shkurtër zyrtare, ku në fokus do të jenë çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.

Më pas, Trump do të udhëtojë drejt Shenzhenit, në Kinë, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). /

Lini një koment